Zvicra, e njohur si strehë për super-të-pasurit, së shpejti do të votojë nëse do të vendosë një taksë të lartë trashëgimie.
Megjithatë, një grup aktivistësh politikë nga krahu rinor i Partisë Socialdemokrate, Jeunesse Socialiste, ka nisur një fushatë për ndryshim radikal, duke e çuar çështjen e taksës së trashëgimisë në një referendum kombëtar.
Këtë të diel, më 30 nëntor, votuesit zviceranë do të vendosin nëse do të vendosin një taksë trashëgimie prej 50% për lënie dhe trashëgimi mbi 50 milionë CHF (53.57 milionë euro).
Shanset që iniciativa të kalojë janë të pakta deri pothuajse inekzistente. Sipas një sondazhi të fundit nga Tamedia/20 Minuten, 75% e votuesve në Zvicër pritet ta refuzojnë taksën për super-të-pasurit, nga 67% sa ishte në tetor.
Edhe pse propozimi pritet të dështojë, disa kanë frikë se referendumi i ardhshëm mund të dëmtojë reputacionin e Zvicrës si parajsë fiskale. Industria e menaxhimit të pasurisë në vend është më e madhja dhe më konkurruesja në botë, me asete ndërkombëtare me vlerë 2.2 trilionë dollarë (1.9 trilionë euro), sipas Deloitte. Por primati i saj po sfidohet nga rivalë si Singapori dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Disa individë të pasur kanë raportuar se i kanë shtyrë planet për t’u zhvendosur në Zvicër për shkak të kësaj nisme. Megjithatë, këto të dhëna vijnë kryesisht nga raportime anekdotike të këshilltarëve tatimorë, duke e bërë të vështirë vlerësimin e shkallës apo rëndësisë,” tha Isabel Martínez, studiuese e lartë në Institutin Ekonomik Zviceran KOF pranë ETH Zürich.
Mobilizim për veprim klimatik
Propozimi i taksës, i titulluar “Për një Politikë Klimatike Sociale dhe Fiskalisht të Drejtë”, parashikon që të ardhurat e mbledhura të shpenzohen për nisma kundër ndryshimeve klimatike.
“Zvicra nuk po bën mjaftueshëm për të mbrojtur klimën,” tha grupi Jeunesse Socialiste në një deklaratë. “Do të nevojiteshin disa miliardë më shumë çdo vit për të përmbushur objektivat e Konfederatës… Me iniciativën për të ardhmen, ata që janë kryesisht përgjegjës për degradimin e klimës duhet të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e saj.”
Pasi tashmë ka mbledhur 100,000 nënshkrime për ta çuar çështjen në referendum, taksa e trashëgimisë do të bëhet ligj nëse më shumë se 50% e votuesve zviceranë e mbështesin dhe shumica e 26 kantoneve të vendit votojnë pro.
Rreziqe për bizneset
Një perspektivë e tillë nuk është vetëm e papëlqyer nga super-të-pasurit, por edhe nga pronarët e vegjël të bizneseve zvicerane.
Swissmem, zëri i industrive mekanike, elektrike dhe të metal-përpunimit si dhe i sektorit të teknologjisë në Zvicër, argumentoi se taksa do të “çonte në mënyrë efektive në shpronësimin e shumë NVM-ve familjare”. Grupi shtoi: “Një numër i madh i këtyre NVM-ve janë ndërtuar nga familjet pronare për breza të tërë, ofrojnë dhjetëra mijëra vende pune dhe paguajnë taksat në mënyrë të besueshme.”
Isabel Martínez vuri në dukje se shqetësime të ngjashme u shprehën edhe kur votuesit zviceranë refuzuan një nismë më të moderuar në vitin 2015, e cila propozonte një taksë prej 20% për pasuri mbi 2 milionë CHF (2.14 milionë euro).
“Më pak se 2% e popullsisë do të ishte prekur drejtpërdrejt, por gjithsesi 71% votuan kundër. Shqetësimi kryesor ishte se shumë biznese familjare dhe NVM do të dëmtoheshin, duke e goditur ekonominë zvicerane dhe duke rrezikuar vendet e punës,” i tha ajo Euronews. “Të njëjtat shqetësime vlejnë edhe për propozimin aktual.”
Disa kundërshtarë nuk e pëlqejnë gjithashtu faktin që taksa do të vendoset në nivel federal, duke minuar autonominë tatimore të kantoneve, shpjegoi ajo.
Përfitime të kufizuara të të ardhurave
Në shumicën e vendeve që vendosin taksa trashëgimie, këto masa janë përgjithësisht të papëlqyera nga votuesit, edhe pse vetëm një pakicë e vogël e njerëzve përfundon duke i paguar ato.
Edhe pse mund të ndihmojnë në uljen e pabarazisë, ato kanë kapacitet të kufizuar për të gjeneruar të ardhura.
Në vitin 2023, taksat mbi trashëgiminë, pasurinë dhe dhuratat përbënin mesatarisht vetëm 0.41% të të ardhurave totale tatimore në vendet e OECD-së. Në vendet evropiane, ato përbënin vetëm 0.40% të të ardhurave totale.
Në një kohë kur presioni fiskal mbi qeveritë po rritet dhe kriza klimatike po thellohet, Zvicra tani duhet të vendosë rrugën më të mirë për të ecur përpara./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
