Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën një propozim që bën thirrje për ndalimin e rrjeteve sociale për adoleshentët nën moshën 16 vjeç, teksa ligjvënësit shqyrtojnë ndikimin e tyre negativ në shëndetin mendor dhe në politikën e debatit online.
Raporti u miratua me një shumicë të madhe, me 483 vota pro, 92 kundër dhe 86 abstenime, në një votim jodetyrues të mbajtur në Strasbourg.
Propozimi sugjeron që fëmijët dhe adoleshentët nën 16 vjeç të mos kenë akses në rrjetet sociale, platformat e shpërndarjes së videove dhe chatbot-ët me inteligjencë artificiale.
Nisma vjen vetëm një javë pasi Presidenti francez Emmanuel Macron kritikoi ashpër “big tech”-un amerikan dhe algoritmet kineze – një referencë ndaj TikTok-ut, pa e përmendur me emër – për krijimin e një kulture ngacmimi, bullizmi dhe ekstremizmi. Macron tha se këto platforma nuk kontribuojnë në lirinë e shprehjes, por përkundrazi krijojnë një mjedis “Perëndimi i Egër” me pak mbikëqyrje.
Mbrojtësit e rrjeteve sociale si platformë për “lirinë radikale të fjalës”, si Elon Musk, pronar i Tesla dhe i X, argumentojnë se autoritetet evropiane po përpiqen të heshtin zërat alternativë përmes rregullimit.
Më herët këtë javë, një zyrtar amerikan vizitoi Brussels dhe i kërkoi Komisionit të rishikojë zbatimin e rregullave digjitale në këmbim të termave më të mirë tregtarë me SHBA-në. BE-ja deri tani ka refuzuar të ndryshojë kuadrin e saj rregullator historik sipas Digital Markets Act dhe Digital Services Act, duke e quajtur çështje sovraniteti.
Macron ka kërkuar masa të tjera “për të krijuar një sovranitet digjital që mbron fëmijët tanë, adoleshentët dhe hapësirën tonë demokratike”. Të njëjtën linjë ka ndjekur edhe Presidentja e Komisionit, gjermania Ursula von der Leyen.
Ndikim negativ në shëndetin mendor të të rinjve
Në raport, eurodeputetët thonë se kërkimet tregojnë se një në katër të mitur tani shfaq përdorim “problematik” të telefonit inteligjent, të krahasueshëm me varësinë. Ligjvënësit paralajmëruan për dizajne manipuluese, si “scroll”-i i pafund dhe “doom-scrolling”. Po ashtu, u theksua se videot me “auto-play” dhe algoritmet e rekomandimeve të personalizuara po dëmtojnë mirëqenien, përqendrimin dhe gjumin e fëmijëve.
Ligjvënësit përshëndetën planet e Komisionit për të zhvilluar një aplikacion verifikimi të moshës në nivel BE-je dhe për të vënë në përdorim portofolin evropian të identitetit digjital. Sipas tyre, platformat janë përgjegjëse të sigurojnë që shërbimet e tyre të jenë të sigurta që në projektim dhe të përshtatshme për përdoruesit e rinj.
Raporti kërkon zbatim më të fortë të rregullave ekzistuese digjitale, veçanërisht të Aktit për Shërbimet Digjitale, i cili përfshin mbrojtjen e të miturve online.
Presidentja e Komisionit, von der Leyen, tha në fjalimin e saj vjetor për Gjendjen e Bashkimit në shtator se Komisioni do të shqyrtojë ndjekjen e hapave të Australia-s për ndalimin e rrjeteve sociale për adoleshentët. “Po e ndjek nga afër zbatimin e politikës së tyre për të parë cilët hapa mund të marrim këtu në Evropë. Do të ngre një panel ekspertësh që të më këshillojë deri në fund të këtij viti për qasjen më të mirë për Evropën”, tha von der Leyen./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
