Shoqata Shqiptare e Bankave po zhvillon përgjatë këtij muaji një sërë takimesh, seminaresh e leksionesh të hapura në kuadër të sensibilizimit për sigurinë kibernetike.
Ndalesa e rradhës ishte Universiteti Polis, ku profesionistët e fushës mbajtën një leksion të hapur me studentët e degës Administrim Biznesi, në vijim të angazhimit të AAB për edukimin e të rinjtë në këtë sektor që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, sidomos gjatë viteve të fundit, për shkak të rritjes së risqeve dhe sulmeve kibernetike edhe ndaj siatemit bankar.
Blerina Tushe, anëtare e Komitetit për Emergjencat Kibernetike në Shoqatën Shqiptare të Bankave, njëkohësisht Menaxhere në Departamentin e Sigurisë së Informacionit në BKT, ndau me studentët përvojën dhe njohuritë e saj mbi rreziqet kibernetike, mashtrimet më të fundit online, si dhe këshilla praktike për t’u mbrojtur nga këto sulme në epokën digjitale ku po jetojmë.
Banka e Shqipërisë ka njoftuar së fundmi se shumë shpejt do të ketë ndryshime ligjore me fokus te rritja e sigurisë ndaj sulmeve kibernetike që prekin bankat tregtaredytë.
Kjo u theksua edhe në fillim të këtij muaji gjatë Konferencës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, ku mori pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Kreu i Bankës së Shqipërisë u ndal te sfidat që po përballet sektori bankar në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike, që siç ai theksoi, janë bërë më të sofistikuara.
Guvernatori Sejko prezantoi strategjitë që ndjek Banka e Shqipërisë për një hapësirë të sigurt kibernetike.
Guvenatori u shpreh se në ditët e sotme, institucionet financiare po bëhen gjithnjë e më të varura nga shërbimet dhe sistemet digjitale, ndërsa përballen me një rritje të numrit të kërcënimeve kibernetike, ndaj dhe siguria në këtë fushë duhet të trajtohet si një çështje e nivelit të lartë.
Bankat investojnë vazhdimisht shuma të konsiderueshme për të përmirësuar sistemet e tyre dhe për të rritur më tej sigurinë kibernetike. /ekofin.al

