Komisioni Europian ka hapur një procedurë shkeljeje ndaj Italisë për përdorimin e të ashtuquajturit rregulli “golden power”, një kapitull i ri në historinë e dështimit të marrjes së Banco BPM nga UniCredit.
Komisioni shprehu shqetësim për këtë rregullore, e cila i jep qeverisë italiane kompetenca të gjera për të shqyrtuar, bllokuar ose vendosur kushte mbi transaksionet korporative në sektorin bankar.
Sipas Komisionit, rregulli — megjithëse synon të mbrojë sigurinë kombëtare — rrezikon të lejojë ndërhyrje të pajustifikuara, të cilat minojnë parimet e lirisë së vendosjes dhe lëvizjes së lirë të kapitalit brenda tregut të vetëm. BE-ja shtoi se legjislacioni italian mbivendoset me kompetencat ekskluzive të Bankës Qendrore Europiane (ECB) brenda Mekanizmit të Vetëm Mbikëqyrës.
Italia tani ka dy muaj kohë për të dhënë përgjigje dhe për të adresuar mangësitë e ngritura nga Komisioni.
“Komisioni ngre kundërshtime ndaj të ashtuquajturit rregull “golden power”, i reformuar në vitin 2022 nën qeverinë Draghi. Në bazë të vlerësimit do t’u përgjigjemi kundërshtimeve të ngritura në forat kompetente,” tha ministri italian i ekonomisë, Giancarlo Giorgetti. Ai shtoi: “Në një frymë konstruktive dhe bashkëpunuese, ne do të paraqesim një propozim rregullator që do të ofrojë qartësi dhe do të kapërcejë kundërshtimet. Jemi të bindur se kjo do të mundësojë një kuadër të përbashkët kompetencash.”
Në korrik, bordi i drejtorëve të UniCredit u tërhoq nga oferta për Banco BPM, duke deklaruar se ishte e pamundur të vazhdohej për shkak të përdorimit nga qeveria italiane të golden power për të bllokuar bashkimin. Sipas UniCredit, kufizimet dhe afatet e vendosura nga ekzekutivi penguan dialogun e nevojshëm me aksionerët për të vlerësuar përfitimet e bashkimit, duke çuar në dështimin e një operacioni që do ta kishte bërë UniCredit bankën e parë kombëtare për kapitalizim.
Së fundmi, banka i është drejtuar gjykatës më të lartë administrative të Italisë kundër kufizimeve të vendosura nga qeveria gjatë procesit të ofertës për Banco BPM. Këto përfshijnë detyrimin për të dalë nga Rusia deri në vitin 2026 dhe mbajtjen e investimeve në Anima Holding.
