Ryanair do të ofrojë 1,600 vende shtesë në fluturimet drejt dhe nga Varshava, për t’u ardhur në ndihmë tifozëve shqiptarë që do të udhëtojnë për ndeshjen play-off Poloni–Shqipëri, e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet më 26 mars 2026.
Për shkak të kërkesës së lartë, kompania ka programuar fluturime shtesë nga 25 deri më 27 mars e vitit të ardhshëm, duke zgjeruar kapacitetin e linjës Tiranë–Varshavë në ditët që përkojnë me udhëtimin e tifozëve drejt Polonisë dhe rikthimin e tyre pas ndeshjes.
Në njoftimin e saj, përfaqësuesja e Ryanair, Jade Kirwan, theksoi interesin e jashtëzakonshëm të publikut shqiptar për këtë sfidë vendimtare:
“Ryanair ka shtuar 1,600 vende shtesë midis Tiranës dhe Varshavës për tifozët shqiptarë që udhëtojnë për ndeshjen Poloni–Shqipëri më 26 mars. Presim që këto vende të rezervohen shumë shpejt, ndaj mos humbisni kohë—vizitoni ryanair.com për të siguruar biletën tuaj sa më parë.”
Përballja Poloni–Shqipëri pritet të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit për Kombëtaren kuqezi, që synon të sigurojë për herë të parë pjesëmarrjen në një Botëror. Interesi i tifozëve është rritur ndjeshëm që pas shortit të play-off-it, me një fluks të madh kërkesash për bileta udhëtimi drejt Polonisë.
Burime nga sektori i udhëtimeve thonë se kërkesa drejt Varshavës u rrit me mbi 300% vetëm gjatë 48 orëve të fundit, ndërsa agjencitë turistike po raportojnë paketat e para të shitura me kapacitet të plotë. Shtimi i fluturimeve të Ryanair pritet të lehtësojë presionin dhe të garantojë më shumë mundësi për tifozët që duan të jenë të pranishëm në stadium.
Kompania irlandeze është tashmë një nga operatorët kryesorë në tregun shqiptar të transportit ajror, me kapacitete në rritje dhe çmime konkurruese që kanë transformuar ndjeshëm ofertën e udhëtimeve nga dhe drejt Tiranës. Lidhja me Varshavën është një nga linjat më të kërkuara nga publiku, sidomos në evente sportive dhe kulturore.
Fluturimet shtesë për datat 25–27 mars 2026 janë të disponueshme për rezervim në faqen zyrtare të kompanisë. Ndeshja e 26 marsit pritet të zhvillohet në një atmosferë elektrizuese, me kuqezinjtë që synojnë të kapin një rezultat historik ndaj një kundërshtari të fortë si Polonia. /ekofin.al
