Shqipëria pritet të ruajë një rritje ekonomike të qëndrueshme prej 3.3% në vitin 2024, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky raport thekson se sektorët e turizmit dhe ndërtimit do të jenë motorët kryesorë të rritjes, duke nxitur eksportet, konsumin dhe investimet në nivele të ngjashme me periudhën para pandemisë.
Norma e inflacionit pritet të qëndrojë nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% në periudhën afatmesme, pavarësisht rritjes së pagave, që do të kompensohet pjesërisht nga mbiçmimi i lekut.
Banka Botërore parashikon që deficiti i llogarisë korente do të jetë 3.8% e PBB-së në afatmesëm. Pritshmëritë për rritje më të lartë të ekonomisë sugjerojnë gjithashtu një ulje të varfërisë. Bilanci primar pritet të përmirësohet, duke arritur në zero për qind të PBB-së nga viti 2024 e tutje.
Qeveria shqiptare ka planifikuar përmirësimin e administratës tatimore, siç është parashikuar në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, ndërsa borxhi publik pritet të bjerë më tej në periudhën afatmesme.
Sipas Bankës Botërore, treguesit kryesorë të ekonomisë po performojnë pozitivisht, duke përfshirë një sektor turizmi të fortë, rritje të aktivitetit ndërtimor, zgjerim të kreditimit, dhe një ndjesi optimiste si te bizneset, ashtu edhe te konsumatorët.
Megjithatë, Shqipëria vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme, përfshirë goditjet nga recesioni në BE dhe shtrëngimin e kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare. Rreziqet për rritjen ekonomike vijnë gjithashtu nga fatkeqësitë natyrore dhe zhvillimet gjeopolitike, ndërsa rreziqet fiskale lidhen me partneritetet publike-private dhe varësinë e sektorit të energjisë nga hidrocentralet, të cilat janë të prekshme ndaj ndryshimeve klimatike.

