Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për muajin tetor 2025, matjet e inflacionit sipas Euroatat, konfirmon një stabilizim gradual të inflacionit në vend, duke u pozicionuar në një ritëm vjetor prej 2,2% dhe në linjë me tendencën e moderuar të rritjes së çmimeve në Bashkimin Europian. Sipas të dhënave të INSTAT, dinamika e çmimeve vijon të ndikohet nga luhatje sektoriale, ndërsa presionet e brendshme inflacioniste mbeten të kufizuara. Rritjen vjetore e udhëheq grupi “Argëtim dhe kulturë”, i cili shënon një kërcim të fortë prej 8,9%, një ecuri e lidhur me rritjen e çmimeve të pajisjeve elektronike, eventeve kulturore dhe produkteve rekreative, të cilat prej muajsh po reflektojnë ndryshimet në kostot e zinxhirit të furnizimit dhe kërkesën në rritje. Një tjetër kontribues i dukshëm është grupi “Pije alkoolike dhe duhan”, çmimet e të cilit janë rritur me 3,1%, të ndikuara si nga faktorë fiskalë, ashtu edhe nga rritja periodike e kostove të prodhimit. Në të njëjtën kohë, mallrat e qëndrueshme të shtëpisë vijojnë të jenë më të shtrenjta, me grupin “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” në rritje prej 2,8%, duke reflektuar lëvizjet në çmimet e materialeve dhe pajisjeve elektrike.
Çmimet e shërbimeve arsimore janë rritur me 2,7%, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë nga tarifat e institucioneve private, ndërkohë që ekonomia e shërbimeve urbane vijon trendin e ngjitjes: “Hotele, kafene dhe restorante” regjistrojnë rritje me 2,6%. Nga ana tjetër, çmimet e qirave dhe energjisë rriten me 1,4%, një ecuri e ngadaltë që i atribuohet stabilizimit të çmimit të energjisë elektrike gjatë vitit, por edhe mungesës së presioneve të reja në kostot e banesave. Ndërkohë, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” – që tradicionalisht ka peshën më të madhe në shportën e konsumit – shënon një rritje modeste prej vetëm 1,3%, duke reflektuar normalizimin e çmimeve të produkteve bazë në raport me një vit më parë.
Në panoramën e përgjithshme, i vetmi grup me ndikim negativ të drejtpërdrejtë në inflacion mbetet “Transporti”, çmimet e të cilit u ulën me 0,5%, duke reflektuar luhatjet e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe normalizimin e kostove të transportit rrugor. Ulje shënohen edhe te çmimet mujore të energjisë së përdorur në banesa dhe një pjesë e produkteve rekreative.
Në aspektin mujor, IHÇK regjistroi një rritje minimale prej vetëm 0,01%, një tregues i qartë i presioneve të dobëta inflacioniste në prag të sezonit të festave. Rritja modeste lidhet kryesisht me çmimet e “Veshje dhe këpucë”, të cilat kanë shënuar një kërcim 1,1% krahasuar me shtatorin, duke reflektuar sezonin e ri të koleksioneve vjeshtë–dimër. Rritje mujore shënohen edhe te “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, ndërsa rënie janë regjistruar te “Argëtim dhe kulturë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Transporti”, çka ka amortizuar efektin total në indeks.
Struktura e ndikimit të grupeve në inflacion tregon se më shumë se gjysma e rritjes vjetore është gjeneruar vetëm nga tre kategori: argëtimi, shërbimet dhe pijet alkoolike-duhani. Ndërkohë, pesha e ushqimeve mbetet relativisht e ulët në kontribut, me vetëm +0,47 pikë përqindje në ndryshimin total. Të dhënat e krahasuara me vendet e BE-së tregojnë se inflacioni në Shqipëri, me 2,2%, qëndron nën mesataren e BE-27 prej 2,5%, duke e pozicionuar vendin në një zonë të moderuar të presionit të çmimeve, më të ulët se disa ekonomi të Europës Qendrore e Lindore. /ekofin.al
