Flota e mjeteve elektrike në Shqipëri po shënon rritjen më të fortë të viteve të fundit, duke reflektuar orientimin e qartë të tregut dhe të politikave publike drejt transportit të qëndrueshëm. Sipas të dhënave më të fundit të DPSHTRR, nga viti 2019 deri në tetor 2025 janë regjistruar gjithsej 10,990 mjete All-Electric, një shifër që tregon një dinamikë të re në sjelljen e konsumatorëve, ofertën e tregut dhe prioritetet në infrastrukturën e transportit. Vetëm krahasuar me vitin 2024, rritja e regjistrimeve të mjeteve 100% elektrike ka arritur në 72%, duke e pozicionuar Shqipërinë si një nga vendet me ritmet më të shpejta të adoptimit të teknologjive elektrike në rajon.
Tregu i autoveturave të reja jep një konfirmim edhe më të qartë të kësaj prirjeje. Për periudhën janar–tetor 2025, 42,4% e autoveturave me “km 0” të regjistruara janë All-Electric, duke shënuar një rritje prej 62% krahasuar me vitin e kaluar. Ky është një tregues i fortë se konsumatorët po orientojnë gjithnjë e më shumë zgjedhjet e tyre drejt mjeteve ekologjike, që garantojnë kosto më të ulët përdorimi, teknologji më të avancuar dhe ndikim minimal në mjedis.
Rritja e flotës elektrike nuk është vetëm statistikë: ajo përfaqëson një transformim real të transportit në vend. Më shumë mjete elektrike në rrugët tona do të thotë reduktim i emetimeve të CO₂, ulje e ndotjes akustike në zonat urbane dhe një përmirësim gradual i cilësisë së ajrit. Kjo dinamikë pozitive po shoqërohet gjithashtu me zgjerimin e infrastrukturës së karikimit, me rritjen e investimeve në rrjetet publike dhe private, si dhe me përshtatjen e standardeve teknike që mbështesin përdorimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve elektrike.
Në kushtet kur vendet e Bashkimit Europian po ecin drejt objektivit të dekarbonizimit të transportit, tendencat në Shqipëri tregojnë një përputhshmëri të qartë me politikat europiane dhe një adoptim gjithnjë e më të shpejtë të teknologjive të reja. Nëse ritmet aktuale vijojnë, vitet në vijim pritet të sjellin një rritje akoma më të ndjeshme të mjeteve 100% elektrike, duke e bërë parkun kombëtar të automjeteve më modern, më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm. /ekofin.al
