Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një analizë të detajuar mbi situatën e borxhit tatimor në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, duke zbuluar një nivel të lartë detyrimesh të pashlyera edhe në rradhët e bizneseve VIP.
Sipas raportit, në fund të vitit 2024, numri total i tatimpaguesve të mëdhenj me borxh rezultoi 238, duke përfshirë si subjekte aktive, ashtu edhe pasive. Shumica e borxhit buron nga 232 tatimpagues aktivë, me një vlerë detyrimesh prej 8 miliardë lekë, ndërsa 6 tatimpagues pasivë mbajnë një borxh shumë më të ulët, në masën rreth 118.8 milionë lekë, çka tregon se subjektet e mbyllura apo të pezulluara nuk paraqesin peshë në strukturën e borxhit.
Raporti evidenton se borxhi tatimor i vitit 2024 është i përqendruar kryesisht tek bizneset e mëdha, ndërmarrjet shtetërore dhe entet buxhetore. 45 biznese të mëdha zënë pjesën më të madhe të borxhit. Prej kësaj shume, vetëm ndërmarrjet shtetërore përbëjnë 4.6 miliardë lekë, ose 56% të borxhit të kësaj kategorie. Nga ana tjetër, entet buxhetore kanë një borxh relativisht të vogël, në nivelin 186 milionë lekë, ose 2% të totalit.
Analiza tregon se detyrimet e papaguara janë të përqendruara kryesisht tek Tatimi mbi Fitimin dhe TVSH-ja. Për Tatim Fitimin, në 31 dhjetor 2024 rezultojnë: 420 milionë lekë principal, 3.6 miliardë lekë gjoba dhe 1.3 miliardë lekë interesa, ku gjobat zënë 67% të totalit. Edhe tek TVSH-ja vihet re e njëjta tendencë: 459 milionë lekë principal, 1.2 miliardë lekë gjoba, 98 milionë lekë interesa, me gjobat që zënë 68% të borxhit të kësaj takse. Tatime të tjera, si sigurimet shoqërore dhe tatimi në burim, kanë ndikim më të ulët në stokun total.
KLSH ka analizuar edhe “moshën” e borxhit, duke zbuluar se detyrimet janë të shpërndara nga borxhet e krijuara së fundmi deri tek ato mbi dhjetëvjeçare. Borxhi deri në 3 muaj arrin 611,899 mijë lekë, ku pjesa më e madhe i detyrohet TVSH-së (219,732 mijë lekë), sigurimeve shoqërore (161,900 mijë lekë) dhe Tatim Fitimit (57,913 mijë lekë). Në kategorinë 3–6 muaj, borxhi ulet në 314,673 mijë lekë, ku TVSH zë 88,565 mijë lekë. Në periudhën 6–12 muaj vërehet rritje, duke arritur në 787,903 mijë lekë, nga të cilat 557,997 mijë lekë janë Tatim Fitimi.
Për detyrimet 1–2 vjet, borxhi është 691,875 mijë lekë, ndërsa për periudhën 2–5 vjet, shuma ngjitet në 1,815,657 mijë lekë, ku 1,365,263 mijë lekë i përkasin Tatim Fitimit. Kjo kategori konsiderohet me probabilitet të ulët arkëtimi, pasi shpesh lidhet me subjekte të mbyllura ose në proces gjyqësor. Borxhi mbi 5 vjet është edhe kategoria më problematike, duke arritur në 3,893,292 mijë lekë, ku Tatim Fitimi përfaqëson 3,030,597 mijë lekë dhe TVSH 697,493 mijë lekë, që tregojnë mospërmbushje të detyrimeve në periudha shumëvjeçare. Detyrimet mbi 10 vjet janë minimale, në nivelin 45,232 mijë lekë.
Sipas përfundimeve të KLSH-së, mbi 80% e borxhit tatimor të pashlyer i përket detyrimeve me moshë mbi dy vjet. Konkretisht, 52.64% i takon borxhit mbi pesë vjet, ndërsa 27.62% kategorisë 2–5 vjet, duke sinjalizuar risk të lartë fiskal për buxhetin e shtetit. Gjithsesi bazuar mbi “Paqen Fiskale”, një pjesë e konsiderueshme e borxhit do të fshihet. /ekofin.al
