Që prej të mërkurës, 12 nëntor, pasagjerët e Ryanair janë të detyruar të kenë kartën e imbarkimit në format digjital në aplikacionin myRyanair.
Në shtator, kompania ajrore me kosto të ulët Ryanair njoftoi se do të pranonte vetëm karta imbarkimi digjitale duke filluar nga 12 nëntori. Linja tani kërkon që pasagjerët të bëjnë check-in online dhe të gjenerojnë kartën e imbarkimit përmes aplikacionit të Ryanair.
Udhëzimet online të kompanisë sugjerojnë se kartat e printuara në letër nuk pranohen më, përveç në rrethana të veçanta, si p.sh. kur pasagjeri nuk ka një smartphone.
Megjithatë, një vend i BE-së paralajmëron se masat e reja të linjës ajrore rrezikojnë të mos jenë në përputhje me të drejtat e pasagjerëve ajrorë.
A pranon Ryanair vetëm karta imbarkimi digjitale?
Që prej të mërkurës 12 nëntor, pasagjerët e Ryanair janë të detyruar të kenë kartën e imbarkimit në format digjital në aplikacionin myRyanair. Ky ndryshim ka ngritur shqetësime për pasagjerët e moshuar që mund të mos kenë ose të mos ndihen rehat duke përdorur një smartphone.
Udhëtarët po pyesin gjithashtu se çfarë ndodh nëse telefoni u mbaron baterinë, u vidhet, ose humbasin lidhjen me internetin.
Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil të Portugalisë (ANAC) ka lëshuar udhëzime për rregullat e reja për të sqaruar të drejtat e pasagjerëve.
Pas analizimit të informacionit të ofruar nga kompania në faqen e saj dhe sqarimeve shtesë, ANAC konkludon se: “Duket se Ryanair synon të garantojë të gjitha të drejtat e pasagjerëve, përfshirë ata me aftësi të kufizuara, me lëvizshmëri të reduktuar ose që nuk kanë një smartphone apo tablet.”
“Ajo gjithashtu synon të mos aplikojë tarifë për ribërjen e kartës së imbarkimit për ata që kanë kryer check-in online.”
Portugalia thotë se Ryanair nuk mund të refuzojë kartat e imbarkimit në letër
Megjithatë, autoriteti shton se i ka bërë të ditur Ryanair-it disa detyrime për të garantuar që të mos shkelë të drejtat e pasagjerëve.
Sipas ANAC, kompania duhet të përmbahet nga çdo veprim që pengon pasagjerët në Portugali — të cilët kanë rezervim të konfirmuar dhe kanë kryer check-in — të hipin në avion vetëm sepse nuk kanë një kartë imbarkimi digjitale.
Ryanair gjithashtu nuk duhet të vendosë tarifa të detyrueshme për marrjen ose përdorimin e kartave fizike (në letër).
Në njëfarë mënyre, kjo përputhet me atë që Ryanair ka konfirmuar tashmë: se udhëtarët mund të kërkojnë një kartë imbarkimi në letër falas pranë sporteleve të check-in në aeroport, me kusht që të kenë kryer check-in online. Por kjo përbën një garanci shtesë për pasagjerët në Portugali, duke theksuar se ata nuk kanë nevojë për një arsye të veçantë (si humbja e telefonit) për t’u lejuar të hipin në avion pa versionin digjital të kartës së tyre.
“ANAC do të vazhdojë të monitorojë situatën, duke përmbushur misionin e saj për të garantuar sigurinë dhe respektimin e të drejtave të pasagjerëve të transportit ajror,” tha autoriteti në një deklaratë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
