Shqipëria vazhdon të ruajë një pozicion të veçantë në hartën e çmimeve të energjisë elektrike në Europë, me një stabilitet çmimi edhe në periudhat kur vendet e tjera po përballen me rritje të vazhdueshme.
Të dhënat e Eurostat për gjysmën e parë të vitit 2025, tregojnë se çmimi për konsumatorët familjarë në Shqipëri ishte 11.6 euro për 100 kWh, një nivel që e pozicionon vendin mes ekonomive me çmimet më të ulëta të energjisë në rajon dhe në Europë.
Shqipëria, mesatarisht e lirë në Ballkan, por jo më e lira
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është më e lirë se Kroacia (15 euro për 100 kWh), Bullgaria (13 euro), Malta (12.4 euro). Megjithatë, ajo mbetet pak më e shtrenjtë se disa ekonomi fqinje, përfshirë Maqedoninë e Veriut (11.4 euro), Serbinë (11 euro), Malin e Zi (9.7 euro), Bosnjë-Hercegovinën (9.3 euro), Kosovën (7.7 euro), Gjeorgjinë (7.6 euro) dhe Turqinë (6.2 euro), vende që prej vitesh mbështeten në modele të forta subvencionimi.
Ajo që e veçon Shqipërinë në rajon nuk është çmimi absolut, por stabiliteti i tij. Shqipëria është një nga vendet e vetme në Europë që nuk ka pësuar asnjë rritje të tarifave nga viti 2024 në 2025, përkundrazi çmimi pësoi rënie.
Ndërkohë, madje edhe vendet që kanë tarifa më të ulëta janë përballur me rritje të çmimeve: Mali i Zi: +0.2%; Serbia: +1.9%; Maqedonia e Veriut: +10.3%; Kosova: +4.1%.
Ky diferencim e pozicionon Shqipërinë si njërin prej sistemeve energjetike më të qëndrueshme në Ballkan.
Krahasuar me BE-në dhe vendet e zhvilluara evropiane, avantazhi i Shqipërisë bëhet shumë më i dukshëm. Evropa dominohet nga çmime të larta të energjisë për familjarët: Letonia: 24.4 euro / 100 kWh; Portugalia: 23.9 euro; Holanda: 23.4 euro; Estonia: 23 euro; Greqia: 22.6 euro; Finlanda: 22.5 euro: Lituania: 21.1 euro dhe Islanda: 20.2 euro.
Ndërsa vende të tjera si Norvegjia dhe Rumania regjistrojnë çmime mbi 19 euro, dhe Sllovakia e Sllovenia qëndrojnë në intervalin 18–19 euro.
Me këto të dhëna, Shqipëria me 11.6 euro është dukshëm më e lirë se thuajse të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Hungarisë, madje edhe ato me ekonomi të forta dhe burime të qëndrueshme energjetike.
Evropa përballet me rritje të forta të tarifave, Shqipëria qëndron në zero
Diferencat bëhen edhe më të dukshme kur analizohen ndryshimet vjetore në tarifa: Luksemburgu: +31.3%; Irlanda: +25.9%; Polonia: +20%; Islanda: +15.2%; Spanja: +7.1%; Belgjika: +6.5%.
Edhe vendet nordike dhe ato qendrore europiane kanë pësuar rritje të ndjeshme, duke reflektuar presionet e tregjeve energjetike në kontinent.
Në këtë kontekst, fakti që Shqipëria është ndër të vetmet vende me ulje të çmimit për familjarët e pozicionon si një rast të rrallë stabiliteti në Evropë. /ekofin.al


