Një diamant blu me peshë gati 10 karatë u shit në ankand në Zvicër për 26.6 milionë dollarë, duke përfshirë tarifat. Guri, në formë dardhe dhe me 9.51 karatë, mban emrin “Mellon Blue” në nder të filantropes amerikane Rachel “Bunny” Mellon. Ai ishte vlerësuar të arrinte një çmim mes 20 dhe 30 milionë dollarësh në ankandin e shtëpisë Christie’s në Gjenevë dhe u shit brenda këtij intervali.
Megjithëse çmimi final ishte i lartë, disa ekspertë e cilësuan rezultatin më të ftohtë se pritjet. Tobias Kormind, drejtor i kompanisë “77 Diamonds”, u shpreh se “guri që pritej të ishte ylli i sezonit u ndikuar nga gjendja e përgjithshme e tregut”, duke përmendur “tensionet gjeopolitike, luftën në Ukrainë, tarifat e Trump dhe ekonominë e dobët kineze” që larguan shumë blerës tradicionalë.
Sipas Rahul Kadakia, kryetari global i luksit në Christie’s, shitja përfaqësonte “një moment të rëndësishëm që tregon dëshirën e koleksionistëve për gurë të rrallë e me histori”. Megjithatë, ajo mbetet larg rekordit të vendosur në vitin 2016, kur diamanti “Oppenheimer Blue” me 14.62 karatë u shit për mbi 57 milionë dollarë.
“Mellon Blue” kishte qenë pjesë e koleksionit privat të familjes Mellon për dekada dhe ishte shitur më herët në vitin 2014, për 32.6 milionë dollarë, një nga çmimet më të larta ndonjëherë për një diamant me ngjyrë. Max Fawcett, drejtuesi global i bizhuterive në Christie’s, tha se ky gur është i veçantë sepse, ndryshe nga shumë diamante moderne, nuk është modifikuar për të theksuar ngjyrën. Ai e përshkroi atë si një “perlë të perlave”, me vlerësim Fancy Vivid Blue dhe Internally Flawless nga Instituti Gemologjik i Amerikës.
Ky ankand ishte pjesë e dy ditëve të shitjeve të bizhuterive në Gjenevë. Të mërkurën, shtëpia rivale Sotheby’s pritet të nxjerrë në shitje diamantin rozë “Glowing Rose”, me një vlerësim fillestar rreth 20 milionë dollarë./Përshtati nga ABC News, ekofin.al
