Shkallët e obezitetit tek fëmijët janë stabilizuar në disa vende vitet e fundit, por zyrtarët globalë të shëndetit thonë se ato mbeten ende tepër të larta.
Obeziteti në fëmijëri është një problem madhor në Evropë dhe shoqërohet me rreziqe shëndetësore “kërcënuese për jetën”, paralajmëron një raport i ri. Një në katër fëmijë të vegjël janë mbipeshë, përfshirë një në dhjetë që janë obezë, sipas një sondazhi të kryer në të gjithë Evropën nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Këto norma janë shumë më të larta në Evropën jugore, ku pothuajse një në pesë fëmijë jeton me obezitet.
Obeziteti në fëmijëri rrit rrezikun për diabet, kancer, sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe probleme të tjera kronike në moshë madhore.
Sondazhi, i zhvilluar nga viti 2022 deri në 2024, përfshiu të dhëna nga rreth 470,000 fëmijë të moshës 6–9 vjeç në 37 vende. Studiuesit mblodhën gjithashtu detaje shtesë mbi zakonet familjare dhe shëndetësore për më shumë se 150,000 fëmijë.
Edhe pse normat e obezitetit janë stabilizuar në disa vende vitet e fundit, zyrtarët e OBSH-së shprehen të shqetësuar. “Mbipesha dhe obeziteti në fëmijëri mbeten alarmuesisht të larta dhe vazhdojnë të kërcënojnë shëndetin e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm,” tha Kremlin Wickramasinghe, ekspert i ushqyerjes, aktivitetit fizik dhe obezitetit në zyrën evropiane të OBSH-së.
Raporti zbuloi gjithashtu se prindërit e fëmijëve mbipeshë apo obezë priren ta nënvlerësojnë peshën e tyre. Në total, 66% e fëmijëve mbipeshë kishin prindër që mendonin se ishin ose nën peshë, ose me peshë normale.
Ushqyerja e dobët dhe konsumimi i lartë i produkteve të pashëndetshme
Dieta e fëmijëve në mbarë Evropën rezultoi përgjithësisht e dobët: vetëm 32% e fëmijëve konsumojnë perime çdo ditë. Ndërkohë, ushqimet e pashëndetshme janë shumë të përhapura: 41% e fëmijëve hanë ëmbëlsira, 29% pinë pije të gazuara, dhe 16% konsumojnë ushqime të kripura më shumë se tre herë në javë.
Vërehen dallime sipas statusit socio-ekonomik: fëmijët kanë dieta më të shëndetshme kur prindërit e tyre janë më të arsimuar.
Aktiviteti fizik dhe koha në ekrane
Pothuajse të gjithë prindërit deklaruan se fëmijët e tyre janë aktivë për të paktën një orë në ditë, dhe 89% e fëmijëve flenë të paktën nëntë orë në natë – dy faktorë kyç për shëndetin e fëmijëve.
Megjithatë, raporti gjeti se shumë fëmijë kalojnë shumë kohë në pajisje elektronike si celularë, televizorë apo tableta: 42% e fëmijëve kalojnë të paktën dy orë në ditë para ekranit gjatë javës, ndërsa 78% e bëjnë këtë gjatë fundjavës.
Koha para ekranit është më e lartë tek djemtë dhe tek fëmijët me prindër me arsimim më të ulët.
Rekomandimet e OBSH-së
OBSH rekomandon që vendet të marrin masa për të krijuar mjedise më të shëndetshme për fëmijët, përfshirë:
taksat mbi pijet me sheqer dhe ushqimet e pashëndetshme, standardet më të larta ushqyese për vaktet në shkolla, politika që nxisin aktivitetin fizik dhe lëvizjen.
Raporti përfundon se pa ndërhyrje të qëndrueshme politike dhe shoqërore, obeziteti në fëmijëri do të vazhdojë të jetë një nga sfidat më serioze të shëndetit publik në Evropë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
