Zbatuesi i rregullave antimonopol të BE-së po heton një marrëveshje të mundshme mes dy grupeve të bursave për produktet derivate, duke argumentuar se ajo mund të shkelë rregullat evropiane që synojnë nxitjen e konkurrencës në tregun e BE-së.
Komisioni nisi të enjten një hetim mbi një bashkëpunim të mundshëm midis grupeve të bursave Deutsche Börse dhe Nasdaq në tregun e produkteve financiare derivativë. Në qendër të shqetësimeve të autoritetit antitrust të BE-së është koordinimi i mundshëm i veprimeve të tyre në listimin, tregtimin dhe pastrimin (clearing) e këtyre derivateve — gjë që, nëse provohet, do të përbënte shkelje të rregullave të konkurrencës së BE-së.
Ligji evropian inkurajon konkurrencën midis operatorëve ekonomikë për të siguruar që çmimet të përcaktohen në mënyrë të drejtë nga tregu, pa bashkëpunime të fshehta apo abuzim me pozita dominuese.
Në shtator 2024, Komisioni zhvilloi inspektime të papritura në selitë e të dy grupeve financiare, siç lejohet nga rregullat e BE-së. Hetimet kishin në shënjestër praktikat e tyre në lidhje me derivatet financiare — kontrata që marrin vlerën nga ndryshimet e çmimit të një aktivi tjetër, si aksione apo mallra.
“Njësitë e Deutsche Börse dhe Nasdaq mund të kenë hyrë në marrëveshje apo praktika të përbashkëta për të mos konkurruar,” tha Komisioni në një deklaratë.
“Për më tepër, ato mund të kenë ndarë kërkesën në treg, të kenë koordinuar çmimet dhe të kenë shkëmbyer informacione tregtare të ndjeshme.”
Një marrëveshje e vitit 1999
Deutsche Börse dhe Nasdaq janë ndër grupet më të mëdha të bursave në botë.
Sipas komisioneres së konkurrencës së BE-së, Teresa Ribera, sjellje të tilla mund të ndikojnë negativisht në “funksionimin e duhur të Unionit të Tregjeve të Kapitalit (Capital Markets Union) – një gur themeli për inovacionin, stabilitetin financiar dhe rritjen.”
Përfundimi i Unionit të Tregjeve të Kapitalit Evropian — një treg pa barriera për kapitalet që synon uljen e kostove për kompanitë e listuara dhe përmirësimin e kushteve të investimit — është ndër prioritetet e presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen.
Nëse do të provohej një bashkëpunim i fshehtë midis Deutsche Börse dhe Nasdaq, kjo do të përbënte “një pengesë artificiale” në tregun e BE-së, tha zëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier, për Euronews.
Në një deklaratë reagimi, Deutsche Börse tha:
“Ne po bashkëpunojmë në mënyrë konstruktive me Komisionin Evropian.”
Grupi i bursës sqaroi se hetimi i Komisionit lidhej me një marrëveshje të vitit 1999, të cilën Deutsche Börse e konsideron “nxitëse të konkurrencës.”
“Ajo synonte të ndërtonte likuiditet më të thellë në tregjet nordike të derivateve dhe të krijonte efikasitet,” argumentoi kompania, duke shtuar se “marrëveshja ishte publike dhe ofroi përfitime të qarta për pjesëmarrësit e tregut.”
Marrëveshja e vitit 1999 u nënshkrua midis degës së derivateve të Deutsche Börse, Eurex, dhe Bursës së Helsinkit, e cila u ble nga Nasdaq në vitin 2008, dhe kishte të bënte me tregjet nordike të derivateve.
