Rritja e shpejtë e tregut të inteligjencës artificiale (AI) po shoqërohet me sfida mjedisore gjithnjë e më të mëdha. Kërkesat e mëdha për energji po ngrejnë shqetësime serioze — dhe sipas Greenpeace, kompanitë kryesore të AI-së, përfshirë Nvidia, deri më tani nuk kanë arritur t’i adresojnë këto probleme.
Inteligjenca artificiale është bërë tashmë pjesë e rëndësishme e jetës sonë të përditshme: shumë njerëz përdorin ChatGPT për punë, ndërsa të tjerë e përdorin për argëtim, si për krijimin e fotove apo videove. Por, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), një kërkesë e vetme përmes ChatGPT konsumon rreth dhjetë herë më shumë energji elektrike se një kërkim në Google.
Nuk është vetëm çështje energjie. Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) paralajmëron se AI mund të dëmtojë mjedisin edhe në mënyra të tjera. Kompanitë teknologjike kanë nevojë për sasi të mëdha lëndësh të para për prodhimin e pajisjeve elektronike, dhe ky proces krijon sasi të konsiderueshme mbetjesh elektronike.
Sipas Greenpeace, dekarbonizimi është jetik për gjigantët e AI-së nëse duan të ndihmojnë në mbrojtjen e planetit. Megjithatë, 10 kompanitë më të mëdha të AI-së në botë janë ende shumë mbrapa në uljen e emetimeve dhe kalimin drejt energjisë së rinovueshme, sipas raportit “Supply Change: Tracking AI Giants’ Decarbonisation Progress”.
Raporti analizon progresin e 10 gjigantëve globalë të teknologjisë dhe kompjuterëve në re (cloud), përfshirë Amazon, Apple, Google, Microsoft dhe Meta, si dhe prodhuesit e çipave AMD, Broadcom, Intel, Nvidia dhe Qualcomm.
Zbulimet tregojnë se shumica e kompanive kanë bërë progres të ngadaltë, veçanërisht në reduktimin e emetimeve në zinxhirët e furnizimit, të cilat përfaqësojnë mbi 80% të totalit të emetimeve për Nvidia, Qualcomm dhe Broadcom, dhe deri në 98% për AMD në vitin 2024.
7 nga 10 gjigantë të AI-së dështojnë në dekarbonizimin e zinxhirit të furnizimit
Në renditjen për dekarbonizimin e zinxhirit të furnizimit, Apple mori notën më të lartë (B), e ndjekur nga Microsoft (C-) dhe Google (D-). Shtatë kompanitë e tjera morën nota dështimi (F), me ndryshime të vogla midis tyre.
Nvidia, kompania e parë në botë që arriti vlerën 5 trilionë dollarë dhe lider në dizajnin e çipave për AI, renditet e fundit, e ndjekur nga Broadcom. Kjo për shkak të angazhimeve të pamjaftueshme klimatike, mungesës së transparencës në zinxhirin e furnizimit, dhe mungesës së veprimeve për reduktimin e emetimeve në prodhimin e lëndëve të para, sipas Greenpeace.
Në renditjen për dekarbonizimin operacional, pesë kompani morën notën F. Apple kryeson me A-, e ndjekur nga Google (B) dhe Microsoft (C).
Në renditjen e përgjithshme, gjashtë kompani dështuan (nota F). Broadcom kishte rezultatin më të ulët, e ndjekur nga Nvidia dhe Intel. Apple (B+) renditet më e suksesshmja, ndërsa Microsoft, Google (C-) dhe Meta (D-) janë të vetmet që nuk morën notë dështimi.
“Fitimet e mëdha, por ndotje e madhe”
Katrin Wu, drejtuese e projektit të zinxhirit të furnizimit në Greenpeace East Asia, theksoi se kompani si Nvidia kanë përfituar miliarda dollarë në të ardhura, duke u bërë ndër më të pasurat në botë.
“Ato pretendojnë se produktet e tyre inovative mund të shpëtojnë botën nga krizat klimatike. Por kjo inovacion ndërtohet mbi transferimin e emetimeve të zinxhirit të furnizimit në pjesë të tjera të botës, veçanërisht në Azinë Lindore, që tashmë përballet me sfida të mëdha në tranzicionin energjetik dhe është jashtëzakonisht e prekshme nga ndryshimet klimatike,” tha ajo.
Kompanitë mungojnë në transparencë
Nëntë nga dhjetë kompanitë, përfshirë Microsoft, Google dhe Nvidia, morën notën më të ulët (F) për transparencën e zinxhirit të furnizimit, për shkak të mungesës së raportimit të qartë mbi përdorimin e energjisë elektrike dhe burimeve të rinovueshme nga furnitorët e tyre.
Raporti thekson se prodhimi i pajisjeve për AI është jashtëzakonisht energji-intensiv. Deri në vitin 2030, kërkesa globale për energji elektrike nga prodhimi i çipave të AI mund të rritet 170 herë, duke arritur në 37,238 gigavat-orë (GWh) – më shumë se konsumi total i energjisë elektrike të Irlandës në vitin 2023.
Pa angazhim për energji tërësisht të rinovueshme
Raporti zbulon se, përveç Apple, nëntë kompanitë e tjera nuk janë angazhuar të kalojnë në 100% energji të rinovueshme deri në vitin 2030, as në operacione dhe as në zinxhirët e furnizimit.
Kompanitë e dizajnit të çipave janë më të vonuarat në këtë drejtim. Nvidia nuk ka vendosur objektiva për energji të rinovueshme për zinxhirin e saj të furnizimit, ndërsa Qualcomm dhe Broadcom ende nuk kanë objektiva as për operacionet e tyre, as për furnizuesit.
Gjithashtu, Nvidia, Broadcom dhe AMD nuk kanë bërë asnjë premtim për arritjen e objektivave “net-zero” apo neutraliteti karbonik.
Një zëdhënës i Nvidia-s refuzoi të komentojë, por sipas Raportit të Qëndrueshmërisë 2025, kompania kishte vendosur objektivin që deri në vitin 2025 të përdorë 100% energji të rinovueshme për zyrat dhe qendrat e të dhënave nën kontrollin e saj operativ. “Ne jemi të lumtur të njoftojmë se kemi arritur dhe do të ruajmë përdorimin 100% të energjisë së rinovueshme në këto struktura,” thuhet në raport.
OKB dhe Greenpeace kërkojnë “AI më të gjelbër”
Greenpeace East Asia u bën thirrje gjigantëve të AI-së të angazhohen për kalimin e plotë në energji të rinovueshme deri në vitin 2030 dhe të rrisin transparencën në përpjekjet për dekarbonizim për të shmangur greenwashing-un.
Sipas UNEP, mbi 190 vende kanë miratuar një sërë rekomandimesh jo-detyruese mbi përdorimin etik të AI, që përfshijnë edhe shqetësimet mjedisore. Si BE-ja ashtu edhe SHBA kanë miratuar legjislacione për uljen e ndikimit mjedisor të AI-së, por efektiviteti i tyre mbetet i paqartë.
“Qeveritë po garojnë për të zhvilluar strategji kombëtare për AI, por rrallë marrin parasysh aspektin mjedisor dhe të qëndrueshmërisë. Mungesa e rregullave mjedisore është po aq e rrezikshme sa mungesa e masave mbrojtëse për vetë AI-në,” deklaroi Golestan (Sally) Radwan, drejtore digjitale në UNEP./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

