Bizneset në Shqipëri po vijojnë të përdorin gjithnjë e më shumë burime energjie të rinovueshme, kjo edhe për shkak se përdorimi i saj rezulton më i qëndrueshëm dhe kostopërfitues sesa furnizimi tradicional përmes energjisë elektrike.
Këtë e tregon edhe anketa më e fundit e realizuar me bizneset në Ballkanin Perëndimor, publikuar në Barometrin e Ballkanit për bizneset, ku rezultoi se 18% e bizneseve përdorin energjinë e rinovueshëm, shifër kjo më e lartë sesa mesatarja e bizneseve në Ballkanin Perëndimor, që sipas anketës ishte vetëm 14%.

Gjithashtu, bizneset në Shqipëri duket se janë më të prirur drejt politikave dhe nismave pro ambjentit, ku sipas përgjigjeve 44% e tyre reflektojnë përdorimin sa më pak të materialeve ndotëse dhe minimizimin e mbetjeve. Ndërkohë, 14% e bizneseve të anketuar besojnë se kryejnë riciklimin duke përdorur materiale ose mbetje nga brenda kompanisë.
Bizneset mendojnë gjithashtu se nevojitet një kuadër gjithëpërfshirës dhe i unifikuar ligjor që t’i orientojë ato drejt tranzicionit të gjelbër. 29% e tyre mendojnë që duhet madje një kuadër detyrues ligjor, që t’i shtyjë sipërmarrjet drejt nismave ESG. Nga ana tjetër, 28% e bizneseve besojnë se edukimi dhe ndërgjegjësimi gjithashtu luajnë rol të rëndësishëm në aplikimin e modeleve të tilla. /ekofin.al


