Shkalla e infeksioneve të gjakut të shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj ilaçeve pritet të rritet ndjeshëm në gjithë Evropën ndërsa popullsia plaket në vitet në vijim, sipas një analize të re. Rritja e infeksioneve do të ketë ndikim më të madh tek të moshuarit, sipas studimit.
Rezistenca antimikrobike (AMR) ndodh kur bakteret ose patogjenë të tjerë evoluojnë deri në atë pikë sa antibiotikët nuk janë më efektivë kundër tyre. Këta të ashtuquajtur “supermikrobe” shkaktojnë rreth një milion vdekje në vit në nivel global.
Në Evropë, normat e infeksioneve rezistente ndaj ilaçeve pritet të rriten në mënyrë të qëndrueshme deri në vitin 2030, sipas studimit të botuar në revistën PLOS Medicine. Megjithatë, pritet të ketë dallime sipas vendit, gjinisë, grupmoshës dhe kombinimit bakter-antibiotik.
Duke marrë parasysh si ndryshimet demografike ashtu edhe tendencat e infeksioneve, rritjet e parashikuara variojnë nga 22.2% (për infeksionet me Streptococcus pneumoniae tek gratë) deri në 61.5% (për infeksionet me Klebsiella pneumoniae tek burrat).
Normat e infeksioneve pritet gjithashtu të rriten më shumë tek burrat sesa tek gratë për gjashtë nga tetë bakteret e studiuara, dhe të rriten dukshëm më tepër tek të rriturit mbi 74 vjeç krahasuar me grupmoshat më të reja.
“Studimi ynë tregon se barra e ardhshme e infeksioneve rezistente ndaj ilaçeve nuk do të jetë uniforme,” tha Gwenan Knight, autore e lartë e studimit dhe bashkëdrejtuese e Qendrës për Rezistencën Antimikrobike në London School of Hygiene & Tropical Medicine.
“Mosha dhe gjinia rrallëherë merren parasysh në parashikimet për rezistencën antimikrobike, por ato ndikojnë realisht në atë se kush preket më shumë,” shtoi ajo në një deklaratë.
Studiuesit analizuan të dhëna nga më shumë se 12.8 milionë analiza rutinë gjaku për infeksione bakteriale në 29 vende europiane gjatë periudhës 2010–2019. Këto të dhëna u përdorën për të parashikuar se si mund të ndryshojnë normat e infeksioneve të gjakut rezistente ndaj antibiotikëve deri në vitin 2050.
Ekipi i Knight theksoi se një pasqyrë më e qartë mbi grupet më të rrezikuara do t’i ndihmojë shkencëtarët dhe politikëbërësit të krijojnë plane më të synuara për të ulur numrin e vdekjeve dhe komplikimeve shëndetësore të lidhura me infeksionet rezistente ndaj ilaçeve.
Megjithatë, objektivat në shkallë të gjerë mund të jenë të paarritshme.
Ndërsa autoritetet shëndetësore globale kanë vendosur si objektiv uljen e infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve me 10% deri në vitin 2030, parashikimet tregojnë se kjo është e mundur vetëm për rreth dy të tretat e kombinimeve bakter-antibiotik.
Knight shtoi se, duke pasur parasysh numrin në rritje të infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve,
“thjesht parandalimi i një rritjeje të mëtejshme të infeksioneve rezistente të gjakut do të ishte tashmë një arritje e madhe në shëndetin publik.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
