Në Tiranë çelet sot edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar “Klik Ekspo Group”, një nga ngjarjet më të rëndësishme tregtare dhe institucionale në vend, që këtë vit prezantohet me një qasje të re, të fokusuar në zhvillimin strategjik, investimet dhe projektet madhore infrastrukturore.
Në qendër të këtij edicioni qëndron “Albania 2030 Immersive Experience”, një instalacion shumë-dimensional dhe interaktiv që ofron një udhëtim vizual mbi transformimet që pritet të ndodhin në Shqipëri gjatë pesë viteve të ardhshme. Përmes prezantimeve institucionale dhe paneleve të specializuara, vizitorët dhe investitorët do të mund të njihen nga afër me projektet strategjike kombëtare, si ndërtimi i Portit të ri të Porto Romanos, zhvillimi i Korridorit VIII hekurudhor, turizmi 4-sezonal, investimet në energjitë e rinovueshme, si dhe platforma e re e zonave të lira ekonomike.
Në këtë panair marrin pjesë përfaqësues të lartë të ministrive dhe institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si edhe Ministrinë e Mjedisit.
Ndër institucionet pjesëmarrëse janë Agjencia e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Albanian Investment Corporation, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike dhe një sërë agjencish rregullatore të sektorëve strategjikë.
Krahas institucioneve publike, në panair ekspozojnë edhe kompani kombëtare dhe ndërkombëtare nga sektorët e energjisë, teknologjisë, industrisë ushqimore, ndërtimit dhe agroturizmit, të cilat prezantojnë risi teknologjike, modele bashkëpunimi dhe projektet e tyre të reja zhvillimore, duke e kthyer këtë aktivitet në një platformë të gjerë ndërveprimi mes sektorit publik dhe atij privat.
