Ata që ecin shpejt në Sllovaki, në Evropën Qendrore, mund t’u duhet të ngadalësojnë paksa hapin në të ardhmen. Kjo sepse vendi po vendos një kufi shpejtësie… për këmbësorët.
Qeveria sllovake ka njoftuar se duke filluar nga viti i ardhshëm, përdoruesit e trotuareve në zonat e ngarkuara nuk do të mund të ecin me më shumë se 6 kilometra në orë.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse dhe si planifikohet të monitorohet shpejtësia e secilit.
Njoftimi u bë publik nga qeveria sllovake më herët këtë javë. Kufiri i ri i shpejtësisë do të zbatohet jo vetëm për këmbësorët, por për të gjithë ata që përdorin trotuaret në zonat urbane – si çiklistët, patinatorët dhe përdoruesit e skuterëve.
Zyrtarët thonë se po e sjellin këtë rregull të ri për të ndihmuar në rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e trotuareve.
Për shumicën e të rriturve, shpejtësia mesatare e ecjes është rreth 4 km në orë. Megjithatë, ecja e shpejtë “power walking” mund të arrijë deri në 8 km në orë – që do të ishte mbi kufirin e ri të propozuar.
Ligji i ri pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm, por ende nuk është njoftuar nëse dhe si do të monitorohet shpejtësia e njerëzve./Përshtati nga BBC, ekofin.al
