Strategjia e komunikimit e Parlamentit për zgjedhjet e BE-së 2024 do të mbështetet në një rrjet mediash dhe organizatash të shoqërisë civile, me një buxhet prej 37 milionë euro ose 0,08 euro për qytetar, “pothuajse asgjë” krahasuar me buxhetet e institucioneve dhe qeverive të tjera, Drejtori i Komunikimit dhe Zëdhënësi i Parlamentit të BE-së Jaume Duch tha për EURACTIV.
Duke qenë se “duhet të jemi të kujdesshëm me paratë e taksapaguesve”, Parlamenti po ndërton fushatën e tij rreth “krijimit të një vale” e cila do të mbështetet nga një rrjet i brendshëm dhe i jashtëm, duke u fokusuar në mobilizimin e abstenuesve dhe votuesve për herë të parë, tha Duch.
“Strategjia jonë nuk ka të bëjë vetëm me atë që do të bëjmë, por se si mund të ndihmojmë njerëzit e tjerë, duke filluar nga media, duke përfunduar nga OJQ-të, nga kompanitë dhe nga individët”, shtoi ai.
Një shumë prej 8 milionë euro do të dedikohet për financimin e kompanive mediatike nëpërmjet granteve për aksione që promovojnë zgjedhjet e BE-së dhe punën e Parlamentit.
3.9 milionë euro të tjera do të vihen në dispozicion për organizatat e shoqërisë civile dhe “bërësit e ndryshimeve” që synojnë “rritje të angazhimit qytetar jopartiak të qytetarëve dhe organizatave evropiane në promovimin e rëndësisë së votës”.
Parlamenti do të përdorë gjithashtu platformën together.eu, duke angazhuar mijëra palë të interesuara në të gjithë BE-në dhe grupe me të cilët shërbimi i komunikimit është tashmë në kontakt në shtetet anëtare nëpërmjet Zyrave Ndërlidhëse të Parlamentit Evropian (EPLOs).
“Të gjithë këta aleatë do të aktivizohen në koordinim me Parlamentin Evropian”, tha Duch, duke shtuar se ata do të përdorin rrjetin e tij të palëve të interesuara, si dhe korrespondentët në Bruksel, mediat e vendeve anëtare dhe qeveritë kombëtare për të komunikuar punën dhe ndikimin e Parlamentit, dhe për të projektuar “rëndësinë e zgjedhjeve europiane”.
Duch pret që rëndësia në rritje e BE-së në vitet e fundit me pandeminë COVID-19, fondet Next Generation dhe përgjigjen e përbashkët kundër luftës së Rusisë në Ukrainë do të rrisë pjesëmarrjen.
Parlamenti aktualisht po ndërton rrjetin dhe po cakton grante dhe nuk do të fillojë të nisë dhe koordinojë veprimet e komunikimit në të gjithë BE-në deri në janar 2024.
