Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), transporti detar dhe ai hekurudhor në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, si në vëllimin e mallrave të transportuara ashtu edhe në numrin e anijeve që kanë lëvizur në portet e vendit.
Në Shqipëri operojnë katër porte detare që shërbejnë për transportin e mallrave: Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Limjoni në Sarandë. Porti i Durrësit mbetet porti kryesor në vend, prej të cilit gjatë tremujorit të tretë të këtij viti janë transportuar 95 për qind e volumit të mallrave të ngarkuar me det, që përkthehet në 2.135 mijë ton mallra. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, volumi i mallrave të transportuara nga ky port është rritur me 17,5 për qind, duke treguar përmirësim të ndjeshëm të aktivitetit tregtar detar.
Grupet kryesore të mallrave të transportuara nëpër portet shqiptare janë “Koks dhe produktet e rafinuara të naftës”, që përbëjnë 19,3 për qind të totalit, “Metale bazë dhe produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” me 15,8 për qind, “Produkte të tjera minerale (jo metalike)” me 13,7 për qind dhe “Qymyr dhe linjit; naftë bruto dhe gaz natyror” që zënë 6,5 për qind të totalit të mallrave të transportuara.
Gjatë kësaj periudhe, në portet detare shqiptare janë regjistruar gjithsej 261 anije që kanë hyrë dhe dalë nga vendi, prej të cilave 250 janë anije të huaja dhe vetëm 11 vendase. Numri i përgjithshëm i anijeve është rritur me 9,7 për qind, ndërsa anijet e huaja kanë shënuar një rritje prej 13,6 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024.
Sa i përket transportit të pasagjerëve, lëvizjet janë zhvilluar kryesisht nga portet e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Gjatë tremujorit të tretë 2025, nëpërmjet porteve shqiptare kanë udhëtuar gjithsej 1.010.888 pasagjerë. Porti i Sarandës është renditur i pari për numrin e udhëtarëve, duke përpunuar 49,2 për qind të tyre, ndjekur nga porti i Durrësit me 40,8 për qind dhe ai i Vlorës me 10 për qind.
Edhe tregtia detare ka njohur rritje gjatë kësaj periudhe. Volumi i mallrave të tregtuara me det, që përfshin eksportet dhe importet, ka arritur në 1.467 mijë ton, duke shënuar një rritje prej 5,6 për qind në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2024. Nga ky total, mallrat e eksportuara përbëjnë 32,2 për qind të volumit të përgjithshëm, ndërsa ato të importuara zënë 65,8 për qind.
Në fushën e transportit hekurudhor, rrjeti i linjave në shfrytëzim në Shqipëri përfshin gjithsej 253 kilometra, me segmentet Kufi–Gjorm (93 km), Durrës–Elbasan (76 km), Rrogozhinë–Fier (49 km) dhe Fier–Vlorë (35 km). Transporti hekurudhor i mallrave është zhvilluar në distanca nga 0 deri në 49 kilometra. Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti janë transportuar me hekurudhë 156,2 mijë ton mallra, duke shënuar rritje me 13,7 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, volumi i mallrave të transportuara në ton-kilometra ka arritur në 4.867,5 mijë ton-km, nga 4.546,2 mijë ton-km në të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke u rritur me 7,1 për qind.
Pjesën më të madhe të mallrave të transportuara me hekurudhë e zë grupi “Qymyr dhe linjit; naftë bruto dhe gaz natyror” me 75,8 për qind, ndjekur nga grupi “Lëndë të para të ricikluara; mbetje të ngurta (bashkiake) dhe mbeturina të tjera” me 23,2 për qind dhe “Metale bazë; produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” me 1 për qind.
Në ndryshim nga transporti i mallrave, transporti hekurudhor i pasagjerëve ka pësuar një rënie të ndjeshme. Vetëm 782 pasagjerë kanë udhëtuar me tren gjatë tremujorit të tretë 2025. /ekofin.al
