Gjiganti amerikan i teknologjisë Amazon po përgatit një raund të ri shkurtimesh nga puna, ndërsa kompania synon të ulë burokracinë dhe të rrisë përdorimin e inteligjencës artificiale (AI).
Amazon njoftoi se do të shkurtojë rreth 14,000 pozicione korporative, me komunikimet zyrtare për ekipet e prekura që nisën të martën.
Reduktimet janë pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të “reduktuar burokracinë, eliminuar nivelet e ndërmjetme dhe riorientuar burimet për të investuar në nismat më të rëndësishme dhe në nevojat aktuale e të ardhshme të klientëve tanë,” thuhet në deklaratën e Amazon.
Sipas kompanisë, punonjësit e prekur do të kenë 90 ditë për të kërkuar një rol të ri brenda Amazon, ndërsa ata që do të mbeten pa punë do të marrin mbështetje kalimtare, përfshirë kompensim financiar.
Amazon nuk specifikoi se cilat ekipe do të preken, por sipas Reuters, shkurtime të tilla janë përqendruar kryesisht në divizionet e cloud-it, tregtisë me pakicë, komunikimeve dhe pajisjeve.
Gjiganti i tregtisë elektronike dhe shërbimeve cloud kishte njoftuar më parë rreth 27,000 shkurtime pune në vitin 2022.
Në shkallë më të gjerë, kompanitë e mëdha të teknologjisë po ndjekin një trend të përbashkët për të reduktuar burokracinë dhe për të shtuar përdorimin e AI-së. Por, ndërsa shpenzimet për inteligjencën artificiale po rriten, sipas analistëve, kjo po i detyron kompanitë të ndërmarrin masa shkurtimeje afatshkurtra në fusha të tjera për të kompensuar kostot.
Shefi ekzekutiv i Amazon, Andy Jassy, deklaroi në qershor se përdorimi në rritje i mjeteve të AI-së ka gjasa të çojë në shkurtime të mëtejshme pune, veçanërisht përmes automatizimit të detyrave të përsëritura dhe rutinore, sipas Reuters.
Gazeta The New York Times raportoi më herët këtë muaj se Amazon planifikon të zëvendësojë më shumë se gjysmë milioni vende pune me robotë, duke iu referuar dokumenteve të brendshme të kompanisë.
Në korrik, gjatë raportimit të fitimeve tremujore, Jassy theksoi se
“Automatizimi dhe robotika janë kontribues të rëndësishëm për përmirësimin e efikasitetit të kostove dhe për ofrimin e përvojave më të mira për klientët me kalimin e kohës.”
Sipas layoffs.fyi, një faqe që monitoron shkurtime pune në sektorin e teknologjisë, më shumë se 200 kompani teknologjike kanë njoftuar mbi 120,000 shkurtime që nga fillimi i këtij viti, përfshirë 15,000 në Microsoft dhe 22,000 në Intel.
Krahasuar me vitin 2024, kur rreth 153,000 punonjës u pushuan nga mbi 500 kompani teknologjike, numri i këtij viti mbetet i lartë dhe në rritje.
Aksionet e Amazon u rritën me 1.2% të hënën. Kompania pritet të raportojë fitimet e tremujorit të tretë të enjten.
