Çmimi i aksioneve të Apple u rrit të martën, duke e bërë prodhuesin e iPhone-it kompaninë e tretë publike në histori që arrin pragun prej 4 trilionë dollarësh në vlerë tregu, pas Nvidia dhe Microsoft.
Aksionet e Apple arritën nivele të reja rekord, duke u tregtuar mbi 269 dollarë për aksion, çka e çoi kapitalizimin e tregut të kompanisë në 4 trilionë dollarë (3.4 trilionë euro) – një rritje e nxitur nga kërkesa më e fortë se pritshmëritë për iPhone 17.
Gjiganti teknologjik me qendër në Cupertino kështu i bashkohet klubit elitar të kompanive që kanë kapërcyer këtë prag historik, përkrah Nvidia dhe Microsoft, të cilat e arritën më herët gjatë këtij viti.
Nvidia, lideri global në gjysmëpërçues, u bë kompania e parë në histori që arriti vlerësimin prej 4 trilionë dollarësh në korrik 2025. Lajmet për rritjen e investimeve në inteligjencë artificiale (AI) dhe pritshmëritë e forta për fitimet e saj vazhdojnë të nxisin çmimin e aksioneve, që tashmë po i afrohet 4.7 trilionë dollarëve (4 trilionë euro).
Të ashtuquajturat “Të Shtatët Madhështorë” (Magnificent Seven) – shtatë kompanitë teknologjike më të mëdha të listuara publikisht në botë – po përfitojnë fuqishëm nga boomi i AI-së këtë vit, me çmimet e aksioneve që janë rritur në përpjesëtim të drejtë. Që nga janari, aksionet e Apple janë rritur me mbi 18%, ato të Nvidia me gati 40%, ndërsa Microsoft me afro 30%.
Megjithatë, Apple ka qëndruar kryesisht jashtë garës për të investuar miliarda në projekte të AI-së. Entuziazmi aktual i tregut për aksionet e kompanisë buron nga suksesi i serisë së re të iPhone-it, si dhe nga shenjëzimet e lehtësimit të tensioneve tregtare dhe tarifore.
Sipas Counterpoint Research, iPhone 17 ka tejkaluar iPhone 16 me 14% më shumë shitje gjatë dhjetë ditëve të para të daljes në treg në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Pesë nga “Shtatë Madhështorët” – Alphabet, Apple, Amazon, Microsoft dhe Meta – po raportojnë fitimet këtë javë. Ato do të duhet të tregojnë rritje të fortë dhe të justifikojnë shpenzimet masive që po kryhen në fushën e inteligjencës artificiale, mes shqetësimeve në rritje se sektori mund të jetë duke krijuar një flluskë të ngjashme me atë të dot-com-eve të vitit 2000.
Sipas Kate Leaman, analiste kryesore e tregut në AvaTrade: “Tregjet lëvizin përmes udhëheqjes, dhe aktualisht, udhëheqja e Microsoft, Meta, Alphabet, Amazon dhe Apple është e pandashme nga oreksi për rrezik i investitorëve në mbarë botën.”
Ajo vuri në dukje se mbi 40% e fitimeve të indeksit S&P 500 këtë vit vijnë nga këta gjigantë.
“Por me këtë përqendrim vjen edhe brishtësia,” shtoi ajo, duke theksuar se edhe pse të ardhurat po rriten, komentet e drejtuesve do të përcaktojnë në mënyrë kritike sa larg dhe me çfarë besimi tregu mund ta ndjekë ‘historinë e AI-së’ në vitin 2026.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
