Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” vijon të forcojë rolin e tij si qendër e rëndësishme rajonale e transportit ajror, duke regjistruar rritje të qëndrueshme të trafikut edhe gjatë vitit 2025.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–shtator 2025, nëpërmjet aeroportit kanë udhëtuar mbi 9 milionë pasagjerë, ose 8% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm në muajin shtator janë procesuar 1,193,183 pasagjerë, duke e bërë atë një nga muajt më të ngarkuar të vitit.
Në total, gjatë këtij muaji u realizuan 7,044 fluturime, që lidhën Tiranën me 105 destinacione në 32 shtete, përmes 30 linjave ajrore. Pesë destinacionet më të frekuentuara nga pasagjerët mbetën Milano, Londra, Roma, Vjena dhe Bolonja.
Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po vijon zbatimin e një programi të gjerë investimesh që përfshin zgjerimin e pistës, ndërtimin e parkimit të ri dhe përmirësime të infrastrukturës aeroportuale, për të përballuar fluksin gjithnjë në rritje të udhëtarëve.
Vitin e kaluar, TIA regjistroi mbi 10 milionë pasagjerë, ndërsa objektivi për vitin 2025 është 12 milionë, një shifër që po bëhet gjithnjë e më e arritshme në kushtet e ritmit aktual të rritjes. /ekofin.al
