Ndryshimet e reja të Kodit Penal do të prekin edhe funksionarë të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian për rastet e korrupsionit pasiv apo aktiv.
Në mënyrë të detajuar, propozimet parashikojnë dënime që variojnë nga 6 muaj deri në 12 vjet burgim, në varësi të nivelit të funksionarit dhe natyrës së veprës penale, qoftë ajo premtim, dhënie apo marrje përfitimesh të parregullta në këmbim të veprimeve që lidhen me ushtrimin e detyrës.
Dispozitat e reja (nenet 244/b, 245/a, 259/b, 260/a dhe 319/d/1) përcaktojnë për herë të parë në Kodin Penal shqiptar përgjegjësi penale specifike për korrupsionin që përfshin zyrtarë të Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, Gjykatës së Drejtësisë së BE-së dhe Gjykatës Evropiane të Auditorëve.
Më konkretisht:
Neni 244/b
Korrupsioni aktiv i nëpunësve të Bashkimit Evropian
“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, nëpunësit të Bashkimit Evropian, për të kryer ose për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim, nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.”.
“Neni 245/a
Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë të Bashkimit Evropian
“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, anëtarit të Komisionit Evropian ose të Parlamentit Evropian, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.”.
“Neni 259/b
Korrupsioni pasiv i nëpunësve të Bashkimit Evropian
“Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga nëpunësi i Bashkimit Evropian, për të kryer ose për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy gjer në tetë vjet.
Nëpunës i Bashkimit Evropian është çdo person i përmendur në Nenin 1 pika (a) e Konventës për luftën kundër korrupsionit që përfshin zyrtarët e Komuniteteve Europiane ose zyrtarët e Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian.”.
“Neni 260/a
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë të Bashkimit Evropian
Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga anëtari i Komisionit Evropian ose i Parlamentit Evropian, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër gjer në dymbëdhjetë vjet.”.
“Neni 319/d/1
Korrupsioni pasiv i gjyqtarit të Gjykatës të Drejtësisë të Bashkimit Evropian dhe Gjykatës Evropiane të Auditorëve
“Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari i Gjykatës të Drejtësisë të Bashkimit Evropian ose Gjykatës Evropiane të Auditorëve, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.”.
Këto ndryshime parashikohet të hyjnë në fuqi në momentin e ratifikimit të Konventës për luftën kundër korrupsionit që përfshin zyrtarët e Komuniteteve Evropiane ose të Shteteve Anëtare të BE-së, një hap kyç në procesin e përafrimit ligjor dhe integrimit evropian. Në këtë mënyrë, kuadri penal shqiptar harmonizohet me standardet e BE-së për mbrojtjen e integritetit institucional dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit ndërkufitar. /ekofin.al
