Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që riktheu menjëherë në funksion e-Albanian pas sulmeve kibernetike. Situata e një viti më parë u mënaxhua nga stafi i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi gjatë një seance në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, deklaroi se sulmet ishin jashtë rutinës, ndaj dhe u morën edhe masa diplomatike.
“Shqipëria menjëherë mori masa për t’u mbrojtur nga sulmi kibernetik. Janë thirrur grupet e menaxhimit të riskut nga ‘Microsoft’. Nga këto grupe u pa nga erdhi sulmi. AKSHI sulmohet çdo ditë, por përmes algoritmeve që ngre, ka rritur muret mbrojtëse të sistemit. Sulmi ishte jashtë rutinës dhe ndaj ne morëm masa diplomatike për ndërprerjen e marrëdhënieve me Iranin”, sqaroi ajo.
Sipas ministres, nga analiza e bërë rezultoi se stafi i AKSHI-t ishte i aftë për të menaxhuar këtë krizë.
“E mira që duhet ndarë është fakti se u sulmuan plot vende të rajonit, por ne ishim vendi që e vendosëm më shpejt nga të gjithë në funksionim platformën e-Albania”, deklaroi Ekonomi.
Korrikun e vitit 2022 Shqipëria u vu nën një sulm të paprovokuar kibernetik, me synim për të paralizuar shërbimin elektronik për të vjedhur të dhënat nga sistemi i komunikimeve qytetare.
Një hetim i thellë dhe i gjatë i kryer nga ekspertiza më e mirë botërore ndaj sulmeve kibernetike ka konfirmuar se, sulmi kibernetik u orkestrua nga Republika Islamike e Iranit.
