Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar për konsultim publik projektvendimin “Për miratimin e Planit Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave”, një dokument strategjik që synon transformimin e stokut ekzistues të ndërtesave në Shqipëri drejt standardeve të reja të efikasitetit energjetik dhe reduktimit të emetimeve deri në vitin 2050 .
Ky plan përbën një nga shtyllat kryesore të politikës kombëtare për energjinë dhe klimën, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit, Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe Ligjin nr. 37/2025 “Për performancën energjetike të ndërtesave”.
Plani Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave ka si synim: Përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave rezidenciale, publike dhe të shërbimeve; Reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe termike, duke ulur faturat për familjet dhe bizneset; Zhvillimin e ekonomisë së gjelbër dhe krijimin e vendeve të reja të punës në ndërtim, energji, projektim dhe teknologji; Zbutjen e varfërisë energjetike për shtresat më të ndjeshme të popullsisë; si edhe Dekarbonizimin e stokut të ndërtesave deri në vitin 2050.
Në relacionin shoqërues theksohet se zbatimi i planit do të ketë efekte të drejtpërdrejta: Ekonomike, përmes kursimeve në energji dhe stimulimit të sektorëve të lidhur me ndërtimin; Mjedisore, me reduktimin e ndotjes urbane dhe uljen e emetimeve të CO₂; Sociale, përmes përmirësimit të kushteve të banimit dhe rritjes së rezistencës së ndërtesave ndaj ndryshimeve klimatike.
Dokumenti evidenton disa sfida kryesore: Sigurimi i financimit, sidomos për familjet dhe ndërmarrjet me të ardhura të kufizuara; Nevoja për kapacitete teknike dhe administrative më të avancuara për menaxhimin e projekteve të rinovimit; Ndërgjegjësimi publik mbi përfitimet e efiçencës energjetike dhe masat që mund të merren në nivel familjar.
Qeveria parashikon krijimin e mekanizmave financiarë dhe skemave të mbështetjes për qytetarët dhe bizneset që duan të investojnë në rinovimin e ndërtesave ekzistuese, në përputhje me objektivat e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.
Projektvendimi parashikon që plani të rishikohet çdo pesë vjet, ndërsa çdo dy vjet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të përgatisë një raport mbi zbatimin e tij, si pjesë e raportit kombëtar të progresit për energjinë dhe klimën.
Institucionet përgjegjëse për zbatimin janë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia për Eficencën e Energjisë, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet publike që administrojnë ndërtesa.
Publikimi i projektvendimit në konsultim publik synon të përfshijë grupet e interesit, profesionistët dhe qytetarët në diskutimin e objektivave dhe masave të planit. Sugjerimet dhe komentet e tyre pritet të ndihmojnë në përmirësimin e draftit përfundimtar përpara miratimit në Këshillin e Ministrave.
Në thelb, Plani Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave është një hap i rëndësishëm drejt tranzicionit të gjelbër dhe energjisë së pastër në Shqipëri, duke synuar që ndërtesat e së ardhmes të jenë më efikase, më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme për qytetarët. /ekofin.al
