ChatGPT, boti popullor i inteligjencës artificiale gjenerative, mund të përballet me grupin më të rreptë të rregullave të Bashkimit Evropian sipas Aktit për Shërbimet Dixhitale (Digital Services Act – DSA), pasi kaloi shifrën e 120 milionë përdoruesve mujorë në Evropë më herët këtë javë.
ChatGPT, i zhvilluar nga kompania amerikane OpenAI, mund të bëhet subjekt i rregullave më të rrepta të BE-së pasi kompania njoftoi të martën se platforma ka më shumë se 120 milionë përdorues aktivë në muaj në Europë, gjë që një zëdhënës i Komisionit Evropian e konfirmoi të mërkurën.
Sipas Aktit për Shërbimet Dixhitale të BE-së, i cili synon të luftojë përhapjen e përmbajtjeve dhe produkteve të paligjshme në internet, platformat më të mëdha përballen me rregulla më të forta sesa ato më të vogla, për shkak të ndikimit të tyre të konsiderueshëm shoqëror, përfshirë potencialin për përhapjen e përmbajtjeve të dëmshme dhe dezinformimit.
Platformat me më shumë se 45 milionë përdorues mujorë – si Amazon, X (ish-Twitter), TikTok dhe Facebook e Instagram të Metas – duhet të plotësojnë kërkesa shtesë për raportim transparence dhe të paguajnë tarifa më të larta mbikëqyrjeje, në mënyrë që Komisioni të monitorojë më afër masat e tyre për ndalimin e përmbajtjeve të paligjshme.
Platformat duhet ta përditësojnë Komisionin Evropian me numrin e përdoruesve në bllokun prej 27 shtetesh çdo gjashtë muaj.
Në deklaratën e saj të së martës, OpenAI tha se “për periudhën gjashtëmujore që përfundon më 30 shtator 2025, kërkimi i ChatGPT-së kishte rreth 120,4 milionë përdorues aktivë mesatarë mujorë në Bashkimin Evropian”.
“Shifra përfaqëson një mesatare mujore të përdoruesve të BE-së që përdorin funksionin e kërkimit të ChatGPT-së gjatë gjashtë muajve të fundit dhe jo përdorimin e përgjithshëm të ChatGPT-së,” shtoi raporti.
Në shtator, ChatGPT kishte njoftuar se kishte rreth 700 milionë përdorues aktivë në javë në mbarë botën.
I pyetur në një konferencë për shtyp në Bruksel të mërkurën, zëdhënësi i Komisionit tha se institucioni është në dijeni të shifrave të reja të ChatGPT-së dhe se ka nisur një vlerësim.
“Ai mund potencialisht të përfshihet në kuadrin e DSA-së; kjo analizë duhet të bëhet rast pas rasti,” shtoi zëdhënësi.
Komisioni përdor të dhënat e raportuara nga vetë platformat për të përcaktuar nëse ato kalojnë pragun prej 45 milionë përdoruesish.
Nëse chatbot-i do të klasifikohej si subjekt nën rregullat e DSA-së, numri i platformave shumë të mëdha online do të arrinte në 26.
Në vitin 2023, Komisioni përcaktoi grupin e parë prej 19 platformash, përfshirë Facebook, Instagram, TikTok, LinkedIn, Amazon dhe Zalando. Që atëherë janë shtuar edhe gjashtë platforma të tjera, përfshirë platformat e-commerce Temu dhe Shein.
Komisioni Evropian mbikëqyr 25 platformat më të mëdha, ndërsa të tjerat mbikëqyren nga autoritetet kombëtare të vendeve anëtare, në varësi të vendndodhjes së selisë së tyre në BE.
Komisioni ka nisur disa hetime për shkelje të mundshme të DSA-së, përfshirë kundër TikTok, Facebook, Instagram dhe AliExpress — asnjë prej tyre nuk është përfunduar ende./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
