Edhe pse sezoni turistik ka përfunduar dhe flukset e mëdha të valutës pritej të zbehen në muajin tetor, euro vijon të mbetet në nivelet më të ulëta të viteve të fundit, duke u këmbyer sot me 96.60 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Kjo shifër përbën një rënje prej 0.13 lekësh krahasuar me ditën e mëparshme, duke konfirmuar tendencën e zhvlerësimit të monedhës europiane përballë lekut.
Në të njëjtën kohë, dollari amerikan është forcuar, duke u këmbyer me 83.13 lekë, në rritje me 0.20 lekë, ndërsa franga zvicerane ka arritur në 104.70 lekë. Këto lëvizje reflektojnë jo vetëm zhvillimet e brendshme në tregun shqiptar, por edhe ecurinë ndërkombëtare të monedhave kryesore ndaj euros.
Tradicionalisht, pas përfundimit të sezonit turistik veror, pritej që leku të humbte disi terren përballë euros, për shkak të rënies së prurjeve valutore nga emigracioni dhe turizmi. Por ndryshe nga këto pritshmëri, monedha vendase vijon të qëndrojë e fortë, madje edhe të forcohet më tej.
Sipas ekspertëve të tregut financiar, kjo qëndrueshmëri lidhet me rritjen e ofertës së valutës në treg për shkak të hyrjeve të larta nga turizmi, remitancat dhe investimet. Por ndërkohë ndikim kanë edhe sasitë e larta të parasë informale në qarkullim. Euro nuk po arrin të fitojë terren megjithë ndërhyrjet e BSH që vijon të tërheqë nga tregu sasi të konsiderueshme të monedhës evropiane.
Në harkun kohor të disa muajve, euro ka humbur rreth 4 lekë ndaj monedhës shqiptare, duke u luhatur midis 96 dhe 97 lekëve gjatë gjithë muajit tetor. Ky nivel përbën nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, duke reflektuar forcimin e qëndrueshëm të lekut edhe përtej faktorëve sezonalë.
Analistët vlerësojnë se kjo situatë mund të vazhdojë edhe në muajt në vijim, nëse inflacioni mbetet nën kontroll dhe aktiviteti ekonomik vijon me ritme pozitive. Megjithatë, rreziku i një rikthimi të kërkesës për valutë nga importet dhe pagesat ndërkombëtare gjatë fundvitit mbetet i pranishëm, çka mund të sjellë një korrigjim të lehtë të kursit në favor të euros. /ekofin.al
