Kina ka dhënë grante dhe kredi me vlerë 7.7 miliardë dollarë (6.6 miliardë euro) në 121 projekte dhe aktivitete në Serbi gjatë periudhës 2000–2022, ku 96% e totalit është dhënë përmes kredive koncesionare dhe jo-koncesionare, sipas AidData, një laborator kërkimor pranë College of William & Mary në Virxhinia, SHBA.
Kina dhe Serbia kanë ndërtuar një partneritet ekonomik dhe politik gjithnjë e më të ngushtë, duke e bërë Serbinë një qendër kyçe për investimet dhe diplomacinë kineze në Ballkan, thuhet në raportin e AidData në “Global Chinese Development Finance Dataset”. Megjithëse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, ajo ka forcuar gjithashtu lidhjet me Pekinin përmes bashkëpunimeve të mëdha në infrastrukturë dhe siguri.
Nga totali prej 7.7 miliardë dollarësh të huadhënies kineze ndaj Serbisë, 74% ishte e destinuar për projekte infrastrukturore, ku pothuajse të gjitha janë zbatuar nga të paktën një entitet kinez, thekson AidData. Një tjetër 14% janë kredi për blerje pajisjesh në sektorët e telekomunikacionit dhe minierave; 8% e kredive mbështesin aktivitete korporative, përfshirë kredi për kapital qarkullues për kompaninë Serbia Zijin Copper dhe kredi për grupin Hesteel për blerjen e uzinës së çelikut Zelezara; 3% e kredive janë kredi emergjente shpëtimi dhënë Bankës Qendrore të Serbisë për forcimin e rezervave valutore të vendit, dhe 1% janë kredi ndërbankare për bankat private serbe për t’u rihuadhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, shton AidData.
Në vlerë monetare, rreth 85% e granteve dhe kredive kineze ndaj Serbisë gjatë periudhës së shqyrtuar kanë shkuar në tre sektorë kryesorë të infrastrukturës: transport dhe magazinim; industri, miniera dhe ndërtim; dhe energji. Sektori i transportit dhe magazinimit të Serbisë ka tërhequr 3.8 miliardë dollarë në ndihma dhe kredi jo-koncesionare kineze, me angazhimin më të madh financiar nga një burim të vetëm – një kredi preferenciale blerësi prej 1.1 miliardë dollarësh nga China Eximbank për rindërtimin e linjës hekurudhore Novi Sad–Suboticë. Industria, minierat dhe ndërtimi përfituan 1.57 miliardë dollarë në kredi, kryesisht për të mbështetur blerjen dhe modernizimin e kompleksit të bakrit RTB Bor nga kompania Zijin Mining. Sektori i energjisë mori 1 miliard dollarë për projekte si termocentrali me qymyr Kostolac B, me kredi prej 673 milionë dhe 360 milionë dollarësh nga China Eximbank.
Gjatë viteve 2000–2022, pjesa më e madhe e financimeve kineze për Serbinë ka ardhur nga bankat shtetërore, sipas raportit. China Eximbank ka qenë huadhënësi kryesor, me 18 kredi në vlerë 5.2 miliardë dollarë, e ndjekur nga Bank of China me 12 kredi me vlerë 1.9 miliardë dollarë, dhe China Development Bank me 3 kredi me vlerë 138 milionë dollarë. Deri më tani, nuk ka prova që angazhimet e akumuluara të kredive kineze ndaj Serbisë – të garantuara publikisht apo jo – janë në vështirësi financiare, shton AidData.
Serbia iu bashkua Nismës “Brezi dhe Rruga” të Kinës në vitin 2015 dhe është marrësi i katërt më i madh i ndihmës dhe kredive kineze në Evropë. AidData thekson se Kina renditet e fundit për nga ndihmat e dhëna – me 791 milionë dollarë gjatë periudhës 2000–2022 – ndër të gjithë donatorët bilateralë dhe multilateralë të Serbisë. Megjithatë, Kina ofron shuma të konsiderueshme kredish jo-koncesionare, përfshirë kreditë e eksportit, sipas raportit.
