Salman Rushdie, është fitues i Çmimit të Paqes të ”German Book Trade” për vitin 2023, kjo është njoftuar nga Shoqata Gjermane e Botuesve dhe Librashitëve. Rushdie, 76 vjeç, i cili u plagos rëndë në një atentat vitin e kaluar, do ta marrë çmimin këtë vjeshtë në kishën e Shën Palit të Frankfurtit.
“Autori britanik me origjinë indiane nderohet për shpirtin e tij të paepur, për rrëfimin e tij për jetën dhe për pasurimin e botës sonë me dashurinë e tij për tregimin. Vepra e tij kronizon forcën e përdorur nga regjimet shtypëse për të shkatërruar shoqëri të tëra, duke festuar gjithashtu frymën e pathyeshme të rezistencës të shfaqur nga qeniet njerëzore individuale”, thuhet në raport.
Autori ka jetuar nën kërcënimin për jetën e tij që kur Ajatollah Khomeini i Iranit lëshoi një fetva kundër tij në vitin 1989, pas botimit të veprës “Vargjet Satanike”, për të cilën kleriku tha se fyente Islamin. Rushdie ka qenë një nga autorët më të famshëm në botë që nga botimi i romanit të tij të vitit 1981 “Fëmijët e mesnatës”.
