Ngërçi politik në Francë tregon se si qeveritë evropiane, të kapura mes kërkesave të elektorateve të tyre të moshuara dhe nevojës për të mbajtur nën kontroll shpenzimet, vazhdojnë të luftojnë për të mbushur boshllëqet buxhetore që shkakton sistemi i pensioneve.
E drejta për pension ka qenë për dekada një shtyllë qendrore e kontratës sociale evropiane. Por jetëgjatësia më e madhe dhe rënia e lindjeve kanë bërë që shumica e qeverive të mos përballojnë më që njerëzit të dalin në pension të plotë në fillim të të 60-ave, siç ishte dikur norma.
Megjithatë, t’u shitet kjo e vërtetë votuesve dhe të arrihet miratimi parlamentar ka rezultuar tepër e vështirë, siç dëshmojnë protestat masive dhe përplasjet politike që janë përsëritur ndër vite. Franca ofroi këtë javë shembullin më ekstrem, pasi qeveria u detyrua të shtyjë planet për të rritur një nga moshat më të ulëta të daljes në pension në Bashkimin Evropian – aktualisht vetëm 62 vjeç.
Lista e vendeve që kanë dështuar ose kanë tërhequr reforma të ngjashme është e gjatë: Gjermania, Spanja, Italia e të tjera. Arsyeja është e thjeshtë – me votuesin mesatar evropian tashmë në moshën mbi 40 vjeç, qeveritë kanë shumë për të humbur nëse penalizojnë brezat më të vjetër në favor të të rinjve, edhe nëse kjo do të thotë të shtyjnë përballjen me krizën.
Profesori i ekonomisë Javier Díaz-Giménez nga IESE Business School e përshkruan këtë si “kapje demografike të demokracive”: “Pensionistët do të bllokojnë gjithmonë çdo reformë që nuk garanton se do të marrin pensionin që iu është premtuar,” – thotë ai.
Megjithatë, siç kanë treguar holandezët, kjo mund të bëhet përmes ligjeve të menduara me kujdes dhe kompromisesh të vështira.
Reformat zakonisht kalojnë vetëm nën presion
Në rastet kur reformat u zbatuan – si në Greqi, Portugali, Itali e Spanjë gjatë dekadës së fundit apo në Suedi në vitet ’90 – kjo ndodhi nën presion të jashtëzakonshëm nga tregjet financiare apo kreditorët ndërkombëtarë.
Në vitin 2011, ministrja italiane e Punës Elsa Fornero shpërtheu në lot teksa shpallte rritjen e moshës minimale të daljes në pension dhe pezullimin e indeksimit me inflacion për shumë përfitues.
Sot, ajo thotë se nuk kishte zgjedhje tjetër: “Është si t’i pyesësh zjarrfikësit nëse pendohen që dëmtuan diçka me ujin që përdorën për të shuar zjarrin,” – deklaroi për Reuters. “Ne nuk e bëmë reformën për të ndëshkuar dikë, por sepse bota financiare nga e cila varej Italia kërkonte ndryshim serioz dhe të menjëhershëm.”
Një studim akademik mbi reformat e mëdha të pensioneve në BE midis 2006-2015 arriti në përfundimin se qeveritë e gjejnë guximin për të ndryshuar sistemin vetëm kur ndihen të kërcënuara nga tregjet.
Në Francë, ku qeveria paguan vetëm një premium prej 0.8 pikë përqindjeje mbi Gjermaninë për huamarrje, mungon ai lloj presioni – ndërsa Italia paguante mbi 5 pikë gjatë krizës së euros.
“Sapo presioni i tregut është i vogël, edhe reforma do të jetë më pak e thellë,” – shpjegon profesori Mattia Guidi nga Universiteti i Sienës.
Rreziku i “zbutjes” së reformave
Reformat e periudhës së krizës në Greqi, Itali, Portugali dhe Spanjë janë vlerësuar se vendosën financat publike në një kurs më të qëndrueshëm.
Por kjo nuk garanton se ato do të mbijetojnë plotësisht: Italia dhe Spanja kanë pezulluar ose zbutur disa masa pas përfundimit të krizës, ndërsa edhe Portugalia e Greqia – që shkurtoi përfitimet në këmbim të shpëtimit financiar – i kanë rritur sërish pensionet dhe po shqyrtojnë rritje të tjera.
Sipas João Silva, bashkëredaktor i një raporti për pensionet nga Parlamenti Rinor Evropian, kjo ishte e pashmangshme: “Nëse nuk ndërton një konsensus të gjerë politik dhe ekonomik, reforma thjesht nuk qëndron.”
Edhe në Gjermani, Irlandë dhe Britani, vrulli reformues është zbehur. Britania nuk ka guxuar të prekë mekanizmin e “triple lock” që garanton rritje të vazhdueshme të pensioneve.
Fornero thekson se ndërtimi i mbështetjes popullore është jetik: “Macron ka humbur lidhjen me qytetarët e tij. Rritja me vetëm dy vjet do të ishte pranuar, nëse do të ishte shpjeguar mirë. Por reforma u kthye në një kurban politik.”
Shembuj pozitivë: Holanda dhe Suedia
Disa vende megjithatë kanë gjetur rrugëzgjidhje. Holanda miratoi një reformë që kalon nga sistemi me përfitim të përcaktuar te ai me kontribut të përcaktuar – ku pensioni varet nga shuma që individi grumbullon gjatë karrierës. Ligji u miratua pas një dekade negociatash dhe me mbështetje të gjerë politike.
Suedisë i duhej një krizë financiare e madhe në vitet ’90 për të miratuar një reformë të ngjashme. Edhe pse e papëlqyer në atë kohë, sot ajo shihet si themel për mirëqenien ekonomike të vendit./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
