Shqipëria po përjeton një rënie të qëndrueshme në përdorimin e produkteve të duhanit gjatë dekadës së fundit, duke u afruar me nivelet më të ulëta në rajon. Të dhënat e fundit tregojnë se, si duhanpirja tradicionale, ashtu edhe përdorimi i përgjithshëm i produkteve të duhanit, po bien ndjeshëm ndër shqiptarë, veçanërisht tek meshkujt, sipas të dhënave të OBSH-së.
Përdorimi i përgjithshëm i duhanit: ulje graduale deri në vitin 2030
Në vitin 2020, rreth 22.9% e të rriturve shqiptarë konsumonin produkte duhani, një nivel që pritet të ulet në 18.6% deri në vitin 2030. Rënia është më e theksuar tek meshkujt, ku prevalenca zbret nga 39.5% në 32.2%, ndërsa tek femrat pritet të ulet nga 6.4% në 4.9%.
Ky trend përfaqëson një ulje mesatare vjetore prej rreth 0.4 pikë përqindje, që tregon një zhvendosje të qëndrueshme drejt reduktimit të konsumit të duhanit. Ndër faktorët që ndikojnë në këtë përmirësim përfshihen forcimi i ligjeve kundër duhanpirjes në ambiente publike, rritja e ndërgjegjësimit shëndetësor dhe ndryshimi i sjelljeve tek të rinjtë, që po orientohen gjithnjë e më pak drejt produkteve tradicionale të duhanit.
Duhanpirja tradicionale: ulje më e fortë tek meshkujt
Edhe në aspektin e duhanpirjes tradicionale, të dhënat tregojnë një ecuri të ngjashme. Në vitin 2020, 25.4% e të rriturve pinin duhan, ndërsa për vitin 2030 ky nivel parashikohet të bjerë në 18.6%.
Rënia është veçanërisht e ndjeshme tek meshkujt, nga 43.5% në 32.2%, ndërsa tek femrat nga 7.3% në 4.9%.
Në vitin 2022, përqindja e duhanpirësve kishte rënë tashmë në 21.9%, duke shënuar një ulje me 3.5 pikë përqindje krahasuar me 2020.
Shqipëria drejt mesatares së ulët rajonale
Të dy treguesit, si ai për përdorimin e përgjithshëm të produkteve të duhanit, ashtu edhe ai për duhanpirjen tradicionale, konfirmojnë një ulje të qëndrueshme dhe tendencë pozitive për dekadën e ardhshme.
Ndër faktorët që po e nxisin këtë prirje janë zbatimi më rigoroz i ligjeve për ndalimin e duhanpirjes në ambiente publike; fushatat shëndetësore që theksojnë rreziqet e duhanit për shëndetin publik; rritja e çmimeve të cigareve dhe ndikimi i produkteve alternative si pajisjet pa djegie dhe vaporizuesit, që po ndryshojnë sjelljet konsumatore.
Nëse këto trende vijojnë, Shqipëria mund të arrijë deri në vitin 2030 nivele të ngjashme me mesataren e ulët të vendeve të rajonit, duke shënuar një sukses të rëndësishëm në politikat e shëndetit publik dhe reduktimin e varësisë nga duhani. /ekofin.al
![]()

