Krimi i organizuar dhe pastrimi i parave mbeten ndër sfidat më serioze për ekonominë shqiptare. Pavarësisht përparimeve në luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe trafikut të drogave, fenomeni i pastrimit të parave po rezulton gjithnjë e më kompleks, duke ndikuar drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e tregut dhe në sigurinë e investimeve.
Sipas relacionit shpjegues të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026–2030, e cila është në konsultim publik, ekzistenca e aseteve të paligjshme të përfituara përmes veprimtarisë kriminale dëmton bizneset e ndershme, të cilat vështirësohen të konkurrojnë në treg me çmime dhe cilësi reale.
Skemat e pastrimit të parave krijojnë një “rreth vicioz” që forcon më tej grupet kriminale, duke rritur kapacitetet e tyre financiare dhe duke i lejuar të reinvestojnë fitimet në aktivitete të tjera të paligjshme, përfshirë kultivimin e drogës dhe korrupsionin. Si rezultat, dëmtohen institucionet financiare, ngadalësohet zhvillimi ekonomik dhe cënohet besimi i investitorëve vendas dhe të huaj, thuhet në relacion.
Fushat prioritare të luftës kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar
Strategjia e re 2026–2030, e hartuar mbi bazën e arritjeve të strategjisë 2021–2025, përcakton disa drejtime kryesore të ndërhyrjes:
Goditja e zinxhirit financiar të krimit përmes zbatimit të parimit “Follow the Money”, me synimin për të eliminuar burimet financiare që ushqejnë grupet kriminale.
Forcimi i hetimit financiar dhe ndjekjes penale, në bashkëpunim me strukturat ndërkombëtare si FATF dhe Moneyval, të cilat kanë evidentuar dobësi në kapacitetet hetimore të vendit.
Rritja e fokusit në krimet kibernetike, pas krijimit të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, duke adresuar rrezikun në rritje të sulmeve dhe mashtrimeve financiare online.
Përdorimi social i aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara kriminale, për qëllime rehabilitimi, fuqizimi dhe përfshirjeje të viktimave të krimit, të rinjve dhe grave, duke e kthyer pasurinë kriminale në mjet zhvillimi social.
Ky vizion synon jo vetëm ndëshkimin e krimit, por edhe transformimin e pasojave të tij në vlera për komunitetin dhe forcimin e etikës publike.
Sipas indeksit global të Krimit të Organizuar 2023, Shqipëria renditet e 15-ta në Evropë dhe e 87-ta në botë, me notën 5.17 në shkallën 1–10, çka tregon se krimi i organizuar vazhdon të përbëjë kërcënim të lartë. Krimi dhe pastrimi i parave perceptohen nga qytetarët si kërcënimi i dytë më i madh pas korrupsionit, duke ndikuar negativisht në ndjenjën e sigurisë dhe në besimin ndaj institucioneve shtetërore.
Strategjia synon të ndryshojë këtë perceptim përmes forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe përmes transparencës në menaxhimin e aseteve të sekuestruara. Një klimë më e sigurt do të nxisë zhvillimin e biznesit të ndershëm dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Zbatimi i Planit të Veprimit 2026–2028, pjesë e Strategjisë Kombëtare 2026–2030, kërkon një buxhet të konsiderueshëm prej mbi 55 miliardë lekësh.
Kjo shumë do të financojë masat institucionale, forcimin e strukturave hetimore dhe gjyqësore, trajnimin e personelit, zhvillimin e infrastrukturës teknologjike dhe programet e ripërdorimit social të aseteve kriminale./ekofin.al
