Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot rezultatet e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës për vitin 2024, një ndër matjet më të rëndësishme për vlerësimin e standardit të jetesës, shpërndarjes së të ardhurave dhe nivelit të varfërisë në vend. Të dhënat tregojnë një përmirësim të dukshëm në disa tregues kyç të mirëqenies ekonomike dhe sociale, duke reflektuar ulje të varfërisë relative, reduktim të pabarazisë dhe rritje të ndjeshme të të ardhurave familjare.
Rënie e varfërisë relative dhe përmirësim i kushteve të jetesës
Në vitin 2024, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri zbriti në 19,2%, nga 19,8% një vit më parë. Kufiri i varfërisë për një individ u rrit në 324.336 lekë në vit, nga 262.325 lekë në 2023, duke pasqyruar rritjen e përgjithshme të të ardhurave. Në total, janë vlerësuar rreth 4,7% më pak individë nën kufirin e varfërisë krahasuar me vitin 2023.
Një tjetër tregues pozitiv është privimi material dhe social i thelluar, i cili mat pamundësinë për të përballuar të paktën 7 nga 13 kategori bazike të mirëqenies (si ngrohja, ushqimi, veshja, pjesëmarrja shoqërore, etj.). Në vitin 2024, ky tregues zbriti në 32,8%, nga 35,9% një vit më parë.
Pjesëmarrja në tregun e punës dhe rreziku social
Sipas agjendës “Evropa 2030”, përqindja e individëve të moshës 18–64 vjeç që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim zbriti në 8,4%, nga 9,7% në 2023. Si rezultat, treguesi i kombinuar i rrezikut për të qenë i varfër ose të përjashtuar socialisht (AROPE) u përmirësua ndjeshëm – nga 43,2% në 2023, në 40,5% në vitin 2024.
Roli i përfitimeve sociale dhe pensioneve
INSTAT vlerëson se përfitimet sociale, përfshirë pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, kanë ndikim thelbësor në uljen e varfërisë. Nëse këto transferta nuk do të përfshiheshin në të ardhurat familjare, rreziku për të qenë i varfër do të arrinte në 36,7%, ndërsa përfshirja e vetëm pensioneve e ul këtë nivel në 22,7%. Këto shifra dëshmojnë efektin mbrojtës të sistemit të sigurimeve shoqërore ndaj shtresave vulnerabël të popullsisë.
Varfëria sipas grupmoshave dhe strukturës familjare
Rënia më e ndjeshme e varfërisë është regjistruar tek fëmijët dhe të rinjtë nën 17 vjeç, ku treguesi zbriti me 0,9 pikë përqindje, në 26,6%. Për grupmoshën aktive (18–64 vjeç), varfëria u ul në 18,6%, ndërsa për moshën mbi 65 vjeç u rrit lehtë në 13,8%. Në aspektin gjinor, femrat vazhdojnë të jenë pak më të ekspozuara ndaj varfërisë (19,5%) krahasuar me meshkujt (18,9%).
Të dhënat tregojnë gjithashtu se familjet me fëmijë në varësi mbeten më të ekspozuara ndaj rrezikut të varfërisë (24,8%) krahasuar me familjet pa fëmijë (10,5%), megjithëse të dy grupet kanë shënuar përmirësime krahasuar me një vit më parë.
Rënie e pabarazisë ekonomike
Treguesit e pabarazisë konfirmojnë një shpërndarje më të ekuilibruar të të ardhurave. Koeficienti Gini – që mat pabarazinë në shpërndarje – ra nga 30,6% në 2023 në 29,8% në vitin 2024. Edhe raporti S80/S20, që krahason të ardhurat e 20% më të pasur me ato të 20% më të varfër, zbriti nga 5,0 në 4,8, duke treguar një afrim të lehtë midis shtresave të shoqërisë.
Rritje e ndjeshme e të ardhurave mesatare
Një ndër gjetjet më pozitive është rritja me 23,2% e të ardhurave mesatare mujore të disponueshme për frymë, të cilat arritën në 51.122 lekë, nga 41.479 lekë një vit më parë. Kjo rritje pasqyron përmirësimin e përgjithshëm të nivelit të jetesës, ndikimin e rritjes së pagave në sektorin publik dhe privat, si dhe lehtësimin e presioneve inflacioniste gjatë vitit 2024.
Rezultatet e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës 2024 sinjalizojnë një përmirësim gradual të standardit të jetesës në Shqipëri, me rënie të varfërisë, pabarazisë dhe përjashtimit social, krahas rritjes së të ardhurave dhe përfitimeve sociale. Ndërkohë, INSTAT thekson se duke filluar nga viti 2024, metodologjia e kampionimit dhe kalibrimit të anketës bazohet në Censin e Popullsisë dhe Banesave 2023, çka rrit saktësinë dhe krahasueshmërinë e rezultateve me standardet e BE-së. /ekofin.al
