Risi që po bëhet shpejt trend. Targat e personalizuara, kombinime me 5–7 karaktere, gërma dhe numra janë kthyer në një mënyrë të qartë për t’i dhënë makinës identitet. DPSHTRR konfirmon se blerësi i një targe të personalizuar fiton të drejtë ekskluzive mbi kombinimin dhe mund ta bartë atë nga një mjet në tjetrin, me kusht që të dy mjetet t’i përkasin së njëjtës kategori (p.sh. nga autoveturë në autoveturë). Transferimi nuk lejohet te një pronar tjetër dhe nuk lejohet për mjete të çregjistruara për dalje nga përdorimi, mjete historike “Retro” apo mjete të çregjistruara për eksport. Por tashmë transferimi lejohet në një mjet tjetër. Tarifa e transferimit është 30,000 lekë për çdo rast. Po ashtu, DPSHTRR thekson se targa e personalizuar lejohet vetëm për autovetura.
Sa kushton “emri yt” në targë
Sipas faqes zyrtare të DPSHTRR: Çmimi fillestar për një targë të personalizuar është 100,000 lekë; vlera ndryshon sipas kombinimit të zgjedhur (numri i karaktereve, “rariteti”, etj.).Për “koleksionin Premium” (të ashtuquajturat “targa luksi”), çmimi nis nga 250,000 lekë dhe finalizohet përmes ankandit elektronik. Kur porositet dhe prodhohet fizikisht targa, aplikohen edhe tarifat standarde të pajisjes me prokate dhe përditësimit të dokumenteve: 4,000 lekë për dy targa (ose 2,000 lekë për një), si dhe 2,500 lekë për përditësimin e lejes së qarkullimit. Për regjistrimin/pajisjen e mjetit llogaritet edhe tarifa standarde e procedurave pranë DRSHTRR-ve (zakonisht 7,700 lekë për automjet dhe 6,700 lekë për motomjet), përveç tarifës së shërbimit për personalizimin. Përveç çmimit, ekzistojnë disa rregulla formimi: për targat me 5–7 karaktere kërkohen të paktën 2 gërma dhe 2 shifra, ndërsa maksimumi i karaktereve identike radhazi është katër. Kombinimet që bien ndesh me rregullat e përgjithshme të etikës publike refuzohen.
A mund ta kaloj targën në makinën tjetër?
Po. Nëse zotëroni dy ose më shumë autovetura, ose shisni mjetin dhe dëshironi ta mbani kombinimin, mund ta transferoni kundrejt 30,000 lekë pa kushtëzim për moshën apo vlerën e mjetit, por brenda së njëjtës kategori mjeti (p.sh. jo nga autoveturë te furgon). Nëse e dorëzoni përkohësisht targën, DPSHTRR e ruan për 1 vit; nëse nuk e riaktivizoni brenda afatit, kombinimi mund të rikthehet në shitje.
Si po ecën “etja” për personalizim
DPSHTRR raporton se interesi është i lartë dhe me ndikim të dukshëm në të ardhurat e institucionit: vetëm në janar–prill 2024, 53% e të ardhurave nga “shërbimet risi” erdhën prej targave të personalizuara, me 73.35 milionë lekë të arkëtuara gjithsej. Më herët, për janar–shtator 2023, u numëruan 576 targa të personalizuara në qarkullim dhe 143.98 milionë lekë të ardhura nga paketat e reja të targave (përfshirë targa me përzgjedhje dhe suvenir). Këto shifra konfirmojnë se personalizimi po kthehet në produkt masiv, jo thjesht “lodër” për entuziastët.
Ku porositet dhe si paguhet
Aplikimi bëhet online në portalin e DPSHTRR: zgjidhni “Shërbime Online” → “Targa” → “Targat e personalizuara”, verifikoni nëse kombinimi është i lirë dhe bëni rezervimin. Pas miratimit, kryhet pagesa e tarifës për kombinimin, prodhimi i prokatit dhe përditësimi i lejes së qarkullimit. Për “targat premium” me kërkesë të lartë, kombinimet dalin periodikisht në ankand elektronik. Personalizimi i targës është tani i thjeshtë, i rregulluar qartë dhe i transferueshëm brenda autoveturave që zotëroni, ndërsa kostoja fillestare 100,000 lekë (ose 250,000 lekë për koleksionin “Premium”, me ankand) u shtohet tarifave standarde të prodhimit dhe dokumentacionit. Treguesit financiarë të DPSHTRR për 2024 tregojnë se “targa me emrin tënd” nuk është vetëm modë: është shërbimi që po gjeneron mbi gjysmën e të ardhurave të paketës së risive. /ekofin.al
