Në datat 13 dhe 14 tetor, Tirana është kthyer në qendrën e vëmendjes së Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, duke mirëpritur Forumin e Investimeve EU–WB6. Ky forum i rëndësishëm, që bashkon liderë rajonalë e ndërkombëtarë, institucione financiare, agjenci kombëtare të investimeve dhe aktorë të sektorit privat, synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes gjashtë vendeve të rajonit dhe të nxisë investimet e huaja direkte si motor të zhvillimit të qëndrueshëm.
Aktiviteti hapës i forumit, i titulluar “IPAs Connect”, u fokusua në rolin që luajnë agjencitë e promovimit të investimeve në krijimin e një vizioni të përbashkët për rritjen e konkurrueshmërisë dhe bashkëpunimit ndërkufitar. Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Bankës Botërore, të cilët theksuan se progresi i reformave dhe përmirësimi i klimës së biznesit mbeten faktorë kyç për forcimin e besimit të investitorëve dhe integrimin e tregjeve të rajonit në hapësirën ekonomike evropiane.
Drejtoresha e AIDA-s, Laura Saro, në fjalën e saj, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe rolin që Shqipëria po luan në promovimin e një rajoni më të integruar ekonomikisht. “Bashkëpunimi ndërmjet agjencive të Ballkanit Perëndimor nuk është më një aspiratë, por një proces konkret që po merr formë përmes nismave të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe përfshirjes së sektorit privat. Vetëm përmes një qasjeje të bashkuar mund ta bëjmë rajonin më konkurrues dhe më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë,” u shpreh ajo.
Pjesëmarrësit vlerësuan se bashkëpunimi mes agjencive homologe të Ballkanit Perëndimor është tashmë më i strukturuar dhe po evoluon drejt një platforme të përbashkët promovimi, që synon të pozicionojë rajonin si një destinacion tërheqës për investitorët ndërkombëtarë. Në forum morën pjesë përfaqësues të gjashtë agjencive kombëtare të zhvillimit të investimeve — nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia — të cilët prezantuan praktikat e tyre më të mira, prioritetet sektoriale dhe sfidat që lidhen me konkurrencën rajonale.
Një vend të veçantë në diskutime zuri përvoja evropiane në fushën e promovimit të investimeve, ku agjencitë nga Gjermania, Franca, Italia, Hungaria dhe Qiproja ndanë praktikat e tyre për ndërtimin e politikave të qëndrueshme ekonomike dhe mbështetjen e investitorëve të huaj. Ky shkëmbim përvojash u vlerësua si një moment i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet agjencive të rajonit dhe për integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në rrjetet evropiane të investimeve.
Në fund të takimit mes agjencive të rajonit, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) dhe Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Bosnjës dhe Hercegovinës (FIPA). Ky memorandum synon të forcojë bashkëpunimin institucional dhe të nxisë projekte të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe rritjen e potencialit të tij investues.
Forumi i Investimeve EU–WB6 po vlerësohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme ekonomike të këtij viti në rajon, jo vetëm për dimensionin e tij strategjik, por edhe për mesazhin që përcjell: se e ardhmja e zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor kalon përmes bashkëpunimit, besimit dhe integrimit të përbashkët në tregun evropian. /ekofin.al














