Këshilli i Ministrave ka miratuar Programin Kombëtar të Lehtësirave në Aviacionin Civil (PKLAC), një dokument strategjik që synon të përmirësojë procedurat e mbërritjes dhe nisjes së avionëve, pasagjerëve, ekuipazheve dhe ngarkesave ajrore, duke garantuar njëkohësisht nivel të lartë sigurie dhe zbatim të plotë të ligjit.
Lehtësim i lejeve të fluturimit, por shtim masash sigurie
Sipas programit, në zhvillimin e procedurave që kanë për qëllim zbatimin e efektshëm të kontrolleve kufitare mbi pasagjerët dhe ekuipazhin, institucionet e KKLACsë duhet të marrin parasysh zbatimin e sigurisë së aviacionit, integritetit kufitar, kontrollit të narkotikëve dhe emigracionit, kur është e përshtatshme.
Për këtë arsye, Drejtoria përgjegjëse për lëshimin e pasaportave nuk duhet të zgjasë vlefshmërinë e dokumenteve të udhëtimit, të cilat janë të lexueshme elektronikisht. Kjo drejtori do të përditësojë rregullisht elementet e sigurisë në dokumentet e udhëtimit. Ky veprim ndihmon në pengimin e falsifikimit të këtyre dokumenteve, duke përfshirë zbulimin e rasteve kur dokumente të tilla janë ndryshuar ose replikuar në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu, drejtoria duhet të inkorporojë të dhëna biometrike në pasaportat elektronikisht të lexueshme, duke përdorur një ose më shumë nga teknologjitë opsionale të ruajtjes së të dhënave për të plotësuar zonën e lexueshme të makinerisë, siç është specifikuar në dokumentin 9303 të ICAO-s – Dokumentet e udhëtimit të lexueshme elektronikisht.
Të gjitha pasaportat e lëshuara nga Ministria e Brendshme do të jenë të lexueshme elektronikisht, ndërkohë që do të vendosen kontrolle në krijimin dhe lëshimin e dokumenteve të udhëtimit kundër vjedhjes së materialit stok të tyre dhe shpërdorimit të dokumenteve të udhëtimit të sapolëshuara.
Do të jetë detyrë e operatorëve të avionëve të sigurohen që çdo pasagjer në pikën e nisjes disponon dokumentet e nevojshme për shtetet e transitit dhe destinacionit.
Lehtësira për ekuipazhet dhe operatorët ajrorë
Sa i përket përmirësimit të qarkullimit të personelit ajror, kartat identifikuese për ekuipazhet do të lëshohen vetëm pas verifikimeve paraprake të pastërtisë së figurës nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC). Këto kontrolle do të përfshijnë gjithashtu certifikimin e punësimit dhe ruajtjen e stokut të kartave identifikuese, për të shmangur çdo abuzim të mundshëm.
Për rritjen e efikasitetit, programi nxit përdorimin e metodave moderne të kontrollit të sigurisë dhe ekzaminimit elektronik, me qëllim lehtësimin e kontrolleve fizike të kargos në mbërritje dhe nisje. Kjo pritet të përshpejtojë proceset tregtare ajrore dhe të ulë kostot për operatorët.
Dokumenti parashikon se në rastet kur një person i papranueshëm mund të kundërshtojë largimin e tij, autoritetet kufitare duhet të njoftojnë operatorin ajror përkatës para nisjes së avionit, për të garantuar sigurinë e fluturimit. Gjithashtu, në rastet e deportimeve, informacioni mbi urdhrin e largimit, vlerësimin e riskut dhe të dhënat e personelit shoqërues duhet t’i komunikohen operatorit ajror jo më vonë se 24 orë përpara fluturimit. /ekofin.al
