Sot në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet lokale, hera e dytë që qytetarët i drejtohen kutive të votimit pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në shkurt.
Në mbarë vendin, 2.025.105 qytetarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur kryetarët dhe asamblistët e 38 komunave. Nga jashtë vendit, janë regjistruar 43.993 votues që do të votojnë me postë.
Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në 19:00.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nisi që dje shpërndarjen e materialeve zgjedhore drejt Qendrave Komunale të Numërimit, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Në këto zgjedhje marrin pjesë 93 subjekte politike, përfshirë 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Në total janë 5.624 kandidatë të certifikuar: 205 për kryetarë komunash dhe 5.419 për asambletë komunale.
Procesi i votimit po zhvillohet në 948 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime – prej tyre 910 qendra me 2.571 vendvotime të rregullta dhe 38 qendra me 54 vendvotime me kusht, një për çdo komunë.
Në përfundim të ditës, qytetarët e Kosovës do të kenë zgjedhur 38 kryetarë komunash dhe 942 anëtarë të kuvendeve komunale, në një proces që pritet të jetë test i rëndësishëm për demokracinë lokale dhe organizimin institucional të vendit.
