Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka miratuar rregulloren e re “Për investigimin dhe procedurat për marrjen e masave disiplinore”, duke zëvendësuar kornizën e mëparshme me një sistem më modern, më transparent dhe të harmonizuar me praktikat evropiane. Rregullat e reja nuk kufizohen më vetëm te auditimi ligjor: për herë të parë, procesi shtrihet qartë edhe te dhënia e sigurisë për raportimin e qëndrueshmërisë (ESG), duke vendosur standarde të reja përgjegjshmërie për profesionin dhe institucionet.
Në thelb, rregullorja e re ndërton një arkitekturë të plotë procedurash nga nisja e hetimeve, te zhvillimi i seancave dëgjimore dhe deri te publikimi i sanksioneve ku theksi vihet te mbrojtja e interesit publik dhe proporcionaliteti i masave. Kjo nënkupton se ndëshkimi nuk shihet si qëllim në vetvete, por si mjet për të parandaluar shkeljet, për të ndrequr sjellje të papajtueshme dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve të auditimit dhe të sigurisë mbi raportimet e qëndrueshmërisë.
Gamë më e gjerë subjektesh nën mbikëqyrje
Risia e parë e dukshme është zgjerimi i qartë i fushës së zbatimit. Përveç audituesve ligjorë, shoqërive të auditimit dhe Organizatës Profesionale të Audituesve Ligjorë (IEKA), rregullorja kap edhe subjekte të tjera drejtpërdrejt ose indirekt nën juridiksionin e BMP-së, duke i dhënë bordit manovrim më të gjerë kur has shkelje që prekin cilësinë e auditimit, etikën profesionale apo besueshmërinë e tregjeve.
Hetime edhe nga “burime të hapura”
Një tjetër risi me peshë është mundësia për të nisur procedura investigimi mbi bazë informacioni publik nga media te interneti e botime të tjera. Përkufizimi i “burimit të hapur” futet zyrtarisht në leksikun e rregullores, duke i mundësuar BMP-së të reagojë shpejt edhe kur shkeljet sinjalizohen jashtë kanaleve tradicionale të ankesës. Kjo plotëson dy shtyllat e tjera të nisjes së hetimit: ankesat formale dhe gjetjet e kontrollit të sigurimit të cilësisë.
Komision i posaçëm investigimi dhe disipline
Rregullorja formalizon Komisionin e Investigimit dhe Disiplinës pranë BMP (KIDB), duke sanksionuar pavarësinë e anëtarëve, shmangien e konfliktit të interesit dhe detyrimin për raport vjetor mbi aktivitetin, shkeljet e konstatuara dhe masat e propozuara. Paralelisht, IEKA dhe organizatat e kontabilistëve të miratuar duhet të mbajnë komisionet e tyre të brendshme të investigimit dhe disiplinës, të harmonizuara me rregulloren e BMP; për më tepër, BMP jep mendim të detyrueshëm për rregullat e tyre, duke garantuar koherencë në gjithë ekosistemin profesional.
Afate të qarta dhe procedura të strukturuara
Rregullorja e re vendos afatet e procesit: 20 ditë pune për shqyrtimin paraprak të ankesave ose informacionit, njoftim brenda 7 ditësh për nisjen zyrtare të hetimit dhe thirrje në seancë brenda 30 ditëve nga nisja. Vetë hetimi ka afat 6-mujor, me mundësi zgjatjeje deri në 6 muaj kur kërkohen prova shtesë apo ekspertizë e specializuar. Subjektet e hetimit kanë detyrim bashkëpunimi pjesëmarrje në seanca, dorëzim dokumentesh, komunikime elektronike dhe dosje angazhimi ndryshe aktivizohen dispozitat disiplinore. Po ashtu, standardizohen format e njoftimeve (përfshirë komunikimin elektronik), ruajtja e provës së dorëzimit dhe e drejta e përfaqësimit me prokurë, duke ruajtur përgjegjësinë personale të subjektit.
Sistem sanksionesh i gradëzuar dhe proporcional
Masat disiplinore janë të shkallëzuara: nga vërejtja, te gjobat 0.5%–3% të qarkullimit vjetor (me nën-kategori sipas natyrës së shkeljes), pezullimi 1–3 vjet për kryerjen e auditimit dhe/ose dhënien e sigurisë për raportimin e qëndrueshmërisë, e deri te heqja e së drejtës dhe çregjistrimi nga regjistri publik. Vendimmarrja kërkon proporcionalitet: shqyrtohen rrethanat lehtësuese e rënduese, shkalla e përgjegjësisë, pasojat dhe bashkëpunimi me autoritetin. Parashikohet edhe një tavan për shpenzimet procedurale që mund t’i ngarkohen subjektit deri 100 mijë lekë për të shmangur penalizime të tepruara financiare nga vetë procesi.
Përgjegjësi edhe për organet drejtuese
Rregullorja sjell risi të qarta edhe për strukturat drejtuese të IEKA-s: nga vërejtja me shkrim, te gjobat 1–10 paga mesatare bruto dhe pezullimi 6 muaj–1 vit nga funksionet drejtuese, kur shkeljet kryhen gjatë ushtrimit të detyrave. Kjo dërgon sinjalin se përgjegjësia shtrihet nga individi te institucioni, duke forcuar kulturën e llogaridhënies.
Kriteret për heqje të së drejtës dhe rasti ESG
Heqja e së drejtës për të ushtruar profesionin mund të vendoset kur dëmtohet ndjeshëm reputacioni (p.sh. masa penale/ndaluese, recidivizëm, shkelje të rënda të kodit të etikës) ose kur audituesi/shoqëria nuk plotëson kushtet e regjistrimit. Një dispozitë me peshë: masat disiplinore lidhur me dhënien e sigurisë për raportimin e qëndrueshmërisë do të zbatohen për periudhat e raportimit që mbyllen pas 31 dhjetorit 2028, një tranzicion që u jep subjekteve kohën e nevojshme për të ndërtuar kapacitete dhe procese të forta ESG.
Transparencë e rritur, me mbrojtje të të dhënave
Sanksionet publikohen në faqen zyrtare të BMP pasi shterohen të drejtat e ankimimit, duke shënuar llojin e shkeljes dhe identitetin e subjektit. Publikimet ruhen të paktën 5 vjet, ndërsa parashikohen edhe raste kur njoftimet anonimizohen për proporcionalitet, stabilitet financiar apo për të mos cenuar hetime në vijim. Kështu, rregullorja ndërthur transparencën me mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtave themelore.
IEKA dhe organizatat profesionale duhet të rishikojnë rregullat
IEKA dhe organizatat e tjera profesionale duhet të rishikojnë rregullat e brendshme dhe t’i harmonizojnë ato me standardet e reja, duke marrë mendimin e detyrueshëm të BMP-së para miratimit. Audituesit dhe shoqëritë e auditimit pritet të rivlerësojnë sistemet e kontrollit të brendshëm, procedurat e pavarësisë dhe etikës, si dhe arkitekturën e provave si për auditimin klasik, ashtu edhe për sigurinë mbi raportimin e qëndrueshmërisë. /ekofin.al
