Evropa është shtëpia e mbi një të pestës së miliarderëve të botës. Gjermania kryeson kontinentin dhe renditet e katërta në shkallë globale për numrin e miliarderëve.
Pabarazia e pasurisë mbetet një problem i madh në mbarë botën, përfshirë edhe në Evropë. Sipas Our World in Data, 1% më i pasur i popullsisë zotëron të paktën 20% të pasurisë në pothuajse të gjitha vendet evropiane, dhe në shumë raste kjo përqindje kalon 25%.
Në të gjithë kontinentin, shumë vende kanë dhjetëra miliarderë. Por cilat janë tri vendet evropiane me më shumë miliarderë dhe sa ka secili?
Sipas revistës Forbes, në vitin 2025 në botë ka mbi 3 000 miliarderë, me një pasuri të kombinuar prej 16.1 trilionë dollarësh (13.7 trilionë euro). Megjithatë, kjo pasuri është përqendruar kryesisht në tre vende – SHBA, Kinë dhe Indi – që përbëjnë më shumë se gjysmën e miliarderëve dhe të pasurisë së tyre të kombinuar.
Lista e Forbes llogaritet në dollarë amerikanë dhe bazohet në shtetësinë, jo domosdoshmërisht në vendbanimin e individëve.

Gjermania, vendi me më shumë miliarderë në Evropë
Gjermania përfaqëson më fort Evropën në renditjen globale, me 171 miliarderë gjithsej dhe një pasuri të përbashkët prej 676.4 miliardë eurosh. Njeriu më i pasur në Gjermani është Dieter Schwarz, me një pasuri prej 35 miliardë eurosh (41 mld $), duke u renditur i 37-ti në botë.
Në vend të dytë në Evropë është Italia, me 74 miliarderë që zotërojnë gjithsej 289 miliardë euro (339 mld $). Më i pasuri është Giovanni Ferrero, me 32.6 miliardë euro (38.2 mld $), i renditur i 41-ti në botë.
Mbretëria e Bashkuar renditet e treta, me 55 miliarderë dhe një pasuri totale prej 203 miliardë euro (238 mld $ ose 177 mld £). Më i pasuri në Britani është Michael Platt, me një pasuri të vlerësuar në 14 miliardë £ (16 mld €), që e rendit në vendin e 106-të globalisht.
Francezi Arnault, i pesti më i pasur në botë
Franca numëron 52 miliarderë në vitin 2025, duke u renditur e katërta në Evropë. Më i pasuri është Bernard Arnault, kreu i perandorisë luksoze LVMH, që zotëron markat Louis Vuitton, Christian Dior, Sephora e shumë të tjera.
Pasuria e tij arrin në 152 miliardë euro (178 mld $), duke e renditur të pestin më të pasur në botë, pasi mbante vendin e parë në vitin 2024. Arnault është shpesh në qendër të debatit për taksimin e pasurisë në Francë, të cilin ai e kundërshton ashpër.
Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Franca janë të vetmet vende evropiane me mbi 50 miliarderë.
Pas katërshes kryesuese, vijnë Suedia me 45 miliarderë dhe Zvicra me 42 miliarderë. Më i pasuri në Suedi është Stefan Persson, me 15.9 miliardë euro, ndërsa në Zvicër, Gianluigi Aponte dhe Rafaela Aponte-Diamant ndajnë kryesimin, secili me 32.2 miliardë euro, duke u renditur të 44-tët në botë.
Spanja jashtë pesëshes së parë
Nga pesë ekonomitë më të mëdha të Evropës, Spanja ka më pak miliarderë – 34 gjithsej, duke u renditur e shtata në Evropë. Më i pasuri është Amancio Ortega, themeluesi i Zara-s, me një pasuri prej 106 miliardë eurosh, që e rendit i 9-ti në botë. Turqia renditet menjëherë pas saj me 32 miliarderë, ndërsa Norvegjia ndjek me vetëm 17.
Numri i miliarderëve në vende të tjera evropiane është: Greqia (16); Holanda (13); Irlanda, Belgjika dhe Çekia (11 secila); Polonia dhe Qiproja (10 secila); Austria dhe Danimarka (9 secila); Finlanda (7); Rumania (6); Hungaria (4); Sllovakia dhe Bullgaria (2 secila); Portugalia, Luksemburgu, Kroacia, Islanda dhe Shqipëria (1 secila).
Ndër këto, Mark Mateschitz nga Austria – trashëgimtari i kompanisë Red Bull – është më i pasuri, me një pasuri prej 34.6 miliardë eurosh, që e rendit i 38-ti në botë.
Evropa Perëndimore dhe Veriore dominojnë
Këto të dhëna tregojnë se Evropa Perëndimore dhe Veriore dominojnë listën e miliarderëve: vetëm pesë vendet kryesore (Gjermania, Italia, Britania, Franca dhe Suedia) përbëjnë 61% të totalit evropian. Ndërkohë, Evropa Lindore mbetet dukshëm pas, me më pak pasuri të përqendruar.
Lidhja mes madhësisë së ekonomisë dhe numrit të miliarderëve
Rezultatet tregojnë se madhësia e ekonomisë së një vendi është një faktor kyç që shpjegon diferencat mes shteteve.
Katër vendet evropiane me më shumë miliarderë janë gjithashtu ndër pesë ekonomitë më të mëdha të kontinentit, megjithëse renditjet për PBB-në dhe numrin e miliarderëve nuk përputhen plotësisht.
Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra mbeten dy nga qendrat më të rëndësishme financiare të Evropës.
Megjithatë, raporti “Billionaire Ambitions 2024” i UBS jep shifra disi ndryshe, pasi përdor një metodologji tjetër dhe të dhëna të vitit 2024: sipas tij, Gjermania udhëheq me 117 miliarderë, ndjekur nga Zvicra (85), Britania (82), Italia (62), Franca (46), Suedia (28) dhe Spanja (27)./Përshtati nga Euronews, ekofin.al