Qyteti gjerman Heilbronn është shpallur Kryeqyteti i Gjelbër i Evropës për vitin 2027, falë rezultateve të larta në fushat e cilësisë së ajrit, ujit, reduktimit të zhurmës, përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe ekonomisë qarkulluese. Çmimi u dha më 2 tetor, gjatë ceremonisë së European Green Cities Awards, të mbajtur në Galerinë Kombëtare të Artit në Vilnius, Lituani.
Në total, qytetet fituese siguruan 1 milion euro grante për qëndrueshmërinë, duke u njohur si liderë të rinj të tranzicionit të gjelbër në Europë.
Pse u zgjodh Heilbronn?
Heilbronn, që ndodhet në rajonin e Shtutgartit, u vlerësua për planifikimin e tij urban gjithëpërfshirës, i cili integron menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe zhurmës përmes dy programeve kryesore: “Landscape Plan 2030” dhe “Mobility Concept”.
Komisioni Evropian vuri në dukje edhe synimet ambicioze të qytetit për vitin 2035, si dhe bashkëpunimet rajonale që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së ajrit dhe reduktimin e ndotjes akustike.
Për përpjekjet e tij, Heilbronn do të marrë një grant prej 600,000 eurosh, që do të përdoret për të forcuar masat ekzistuese dhe për të zbatuar politika të reja të qëndrueshme.
Qytetet më të gjelbra të Evropës
Në kategorinë e Green Leaf Award, që i dedikohet qyteteve më të vogla me më pak se 100,000 banorë, fituesit ishin Assen (Holandë) dhe Siena (Itali), secila me 200,000 euro çmim.
Assen u vlerësua për angazhimin e fortë ndaj ekonomisë qarkulluese dhe reduktimit të ndikimit klimatik, përfshirë politikat novatore të menaxhimit të mbetjeve dhe grumbullimin e zgjeruar të PMD-ve (plastikë, metale dhe kartona pijesh). Qyteti ka arritur ulje të ndjeshme të emetimeve të CO₂ përmes rinovimit të ndërtesave, dekarbonizimit të shërbimeve publike dhe projekteve si “Energy Garden”. Gjithashtu, autostrada e biçikletave drejt Groningenit u përmend si shembull i mobilitetit të qëndrueshëm.
Nga ana tjetër, Siena ndau vendin e parë për shkak të sipërfaqeve të gjelbra, përdorimit të qëndrueshëm të tokës dhe normës mbresëlënëse të riciklimit, që ka ulur në vetëm 1% sasinë e mbetjeve që dërgohen në landfill.
Ambasadorët e rinj të tranzicionit të gjelbër
Finalistët u vlerësuan nga një juri përfaqësuesish të Komisionit Evropian, Komitetit të Rajoneve, Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA), Kovenantit të Kryetarëve për Klimën dhe Energjinë dhe Byrosë Europiane të Mjedisit (EEB).
Në listën e qyteteve të vlerësuara për përkushtimin e tyre ndaj qëndrueshmërisë urbane ishin gjithashtu Debrecen (Hungari), Klagenfurt (Austri), Benidorm (Spanjë) dhe Saint-Quentin (Francë).
Komisionerja e BE-së për Mjedisin, Reziliencën ndaj Ujit dhe Ekonominë Qarkulluese Konkurruese, Jessika Roswall, theksoi:
“Çmimet ‘European Green Capital’ dhe ‘Green Leaf’ nderojnë çdo vit qytetet që udhëheqin me shembullin e tyre. Jam e lumtur të përgëzoj Heilbronn, Assen dhe Siena për titujt e vitit 2027. Ky është një nder, por edhe një përgjegjësi – ju jeni ambasadorët e rinj të tranzicionit të gjelbër në Europë.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
