Gjigandi i inxhinierisë shpreson që shkurtimet të kursejnë 2.5 miliardë euro, ndërsa kriza e tregut të makinave në Europë vazhdon.
Bosch do të shkurtojë rreth 13,000 vende pune shtesë në biznesin e pjesëve të automjeteve deri në vitin 2030, që përfaqëson rreth 3% të fuqisë punëtore globale.
Këto shkurtime, që vijnë mbi mijëra vende pune tashmë të humbura vitet e fundit, do të prekin kryesisht pozicionet në Gjermani.
Baza e kompanisë në rajonin e Shtutgartit pritet të jetë më e goditura, ndërsa zona si Feuerbach dhe Schwieberdingen do të përballen me mijëra shkurtime.
Gjigandi i inxhinierisë kërkon të rikuperojë “sa më shpejt të jetë e mundur” 2.5 miliardë euro humbje, pasi industria e makinave në Europë mbetet në ngërç.
Kompania tha se synon të nisë menjëherë bisedimet me punonjësit e prekur.
Prodhuesit e makinave po përballen me kërkesë të dobët, kosto të larta pune dhe energjie, si dhe konkurrencë nga modelet më të lira kineze, përveç tarifave të ngritura mbi eksportet drejt SHBA. Këto tarifa mbi makinat dhe pjesët e këmbimit aktualisht janë 15%, më poshtë se norma e kërcënuar prej 27.5%.
Ndërsa presioni nga SHBA po ngushton marzhet, tranzicioni drejt mobilitetit elektrik po e komplikon më tej situatën, pasi mbetet pasiguri mbi objektivat e BE-së për reduktimin e emetimeve të karbonit. Disa qeveri europiane gjithashtu kanë ulur subvencionet për makinat elektrike, duke tkurrur kërkesën.
Bosch është një nga disa prodhues që kërkon të shkurtojë kostot përballë këtyre sfidave. Firmat europiane si Volkswagen dhe Volvo kanë shpallur shkurtime këtë vit, ashtu edhe kompani jo-europiane si Nissan dhe Stellantis.
Përveç reduktimit të fuqisë punëtore, Bosch tha se planifikon të ulë investimet në kapacitete prodhimi, si përgjigje ndaj rënies së kërkesës.
Njoftimi i Bosch është një goditje për kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili po përpiqet të tërheqë investime dhe të ringjallë sektorin industrial të vendit me premtime për rritje të shpenzimeve publike.
Gjermania këtë vit miratoi një ndryshim kushtetues për rregullin e “frenës së borxhit”, që do të thotë se shpenzimet për mbrojtjen mbi 1% të PBB-së nuk do t’i nënshtrohen kufizimeve të huamarrjes. Qeveria gjithashtu ka krijuar një fond jashtëbuxhetor prej 500 miliardë euro për investime shtesë në infrastrukturë, i cili pritet t’i japë një shtysë ekonomisë gjermane.
PBB e Gjermanisë pritet të rritet me 0.2% këtë vit, pas dy vitesh tkurrjeje, megjithatë ekspertët paralajmërojnë se ekonomia ende qëndron në terren të pasigurt./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
