Një anketim i fundit mbi Perceptimet e Politikës së Jashtme në Ballkanin Perëndimor dhe Partneritetin Lindor eksploron mënyrën se si qytetarët në nëntë vende perceptojnë orientimin aktual dhe të ardhshëm të kombit të tyre ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Në Shqipëri, shumica dërrmuese e të anketuarve (56%) e ndiejnë veten më afër Bashkimit Evropian për nga vlerat dhe idetë. Ky është niveli më i lartë në rajon dhe tregon një identifikim të fortë të qytetarëve shqiptarë me projektin evropian, përtej politikës së ditës apo preferencave konkrete të politikës së jashtme. Për Shqipërinë, BE-ja jo vetëm që dallohet si opsioni më i zgjedhur, por edhe e tejkalon me diferencë të madhe çdo aktor tjetër të mundshëm.
Në pamje të plotë, BE-ja rezultoi zgjedhja kryesore me 35% të përgjigjeve, me përqindje të larta edhe në Moldavi (43%) dhe Ukrainë (53%). Maqedonia e Veriut (29%), Gjeorgjia (39%) dhe Bosnja e Hercegovina (32%) shfaqin gjithashtu orientim të fortë drejt unionit.
Aktori i dytë me më shumë influencë në total ishte Rusia, me 13%. Në Serbi kjo shifër ngjitet në 36%, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë (16%) dhe Mal të Zi (15%) mbetet mbi mesataren. Në Ukrainë, siç pritej, nuk pati asnjë përputhje me Rusinë (0%).
Shtetet e Bashkuara u zgjodhën nga 12% e të anketuarve në total. Kosova shfaq një orientim shumë të lartë (40%), ndërsa Shqipëria përsëri është mbi mesataren me 18%. Në vende si Ukraina (7%) dhe Gjeorgjia (12%) niveli është më i moderuar, ndërsa në Serbi bie në vetëm 2%.
Kina u përmend nga 2% e të anketuarve, me përqindje pak më të larta në Bosnje dhe Hercegovinë (4%) dhe Serbi (7%). Turqia u përzgjodh nga 6% në total, me nivel më të lartë në Bosnje (12%) dhe Maqedoni të Veriut (11%), por shumë të ulët në Serbi (2%) dhe Moldavi (1%).
Disa lidhje kulturore dolën gjithashtu në pah edhe pse nuk përfshihen në vizualizim: Shqipëria u përmend 159 herë, 146 prej tyre nga Kosova, duke reflektuar lidhjen mes dy popujve. Serbia u përmend 104 herë (kryesisht nga Maqedonia e Veriut), ndërsa Rumania mori 79 përmendje, shumica nga Moldavia. /ekofin.al

