Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar rritjen e pensioneve shtetërore dhe hapa për legalizimin e ndërtimeve pa leje, si pjesë e një pakete të dytë masash që synojnë përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve.
Në një konferencë për shtyp të transmetuar nga RTS të dielën, Vuçiç tha se pensionet shtetërore do të rriten me 12.2% duke filluar nga 1 dhjetori, çka do ta çojë pensionin mesatar në Serbi në 485 euro. Rritja e fundit e pensioneve u bë në dhjetor të vitit të kaluar, me 10.9%. Ai njoftoi gjithashtu se pagat mujore në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit do të rriten me 5% nga 1 tetori, duke e çuar pagën e një infermieri në 778 euro dhe të një mësuesi në 960 euro.
Sa i përket legalizimit të ndërtimeve pa leje, Vuçiç deklaroi se në Serbi janë rreth 4.8 milionë prona që përdoren pa leje ndërtimi ose regjistrim të së drejtës së pronësisë. Sipas tij, për rreth 70% të tyre procesi i legalizimit do të kryhet me një procedurë të thjeshtuar dhe do të kushtojë vetëm 100 euro.
Një muaj më parë, Vuçiç kishte shpallur pesë masa për rritjen e fuqisë blerëse dhe përmirësimin e standardeve të jetesës, përfshirë kufizimin e marzhit të fitimit të shitësve me pakicë dhe uljen e normave të interesit për kreditë konsumatore. Serbia ndërkohë kishte rritur edhe pagën minimale mujore me 10.1%, duke e çuar në 551 euro nga 1 janari, pas një rritjeje të jashtëzakonshme prej 9.4% në 500 euro që hyri në fuqi më 1 tetor.
Në fund të konferencës për shtyp, Vuçiç u bëri thirrje gazetarëve të bënin pyetje vetëm për temat e diskutuara dhe jo për “bllokuesit dhe të tjerët”, të cilat ai i përshkroi si “çështje budallaqe”. Protestat masive dhe bllokadat rrugore kundër qeverisë kanë sfiduar fuqinë e tij, pas shembjes së çatisë prej betoni në stacionin e trenit në Novi Sad më 1 nëntor, ku humbën jetën 16 persona.
Lëvizja e udhëhequr nga studentët kërkon përgjegjësi për aksidentin dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke akuzuar Vuçiçin dhe aleatët e tij se kontrollojnë të gjitha pushtetet, shtypin liritë mediatike dhe opozitën politike, përdorin policinë për qëllime politike dhe kanë lidhje me qarqe kriminale – akuza që autoritetet i mohojnë./Përshtati nga SeeNews, ekofin.al
