Strategjia e re për Sigurinë Rrugore synon të sigurojë reagim efektiv edhe në kohë ndaj emergjencave, kujdes pas aksidentit dhe shërbime rehabilitimi që përputhen me praktikat më të mira të BE-së dhe synojnë të maksimizojnë normat e mbijetesës dhe rehabilitimit pas aksidenteve rrugore.
Dokumenti parashikon një komponent të rëndësishëm siç është kujdesi pas aksidentit, i cili përfshin standardizimin e komunikimit dhe përmirësimin e reagimit emergjent. Aktivitetet do të zbatohen në periudhën 2026–2028, me një buxhet total prej 15 milionë lekësh.
Strategjia parashikon përmirësimin dhe vendosjen e standardizimit të qendrave kombëtare 112 dhe 127 mbi procedurat fillestare të mbledhjes së të dhënave (triazhin) me përgatitjen e procedurave (standardeve) të qarta për shkëmbimin e të dhënave për të shmangur dyfishimin e mbledhjes së të dhënave (triazhin) midis dy shërbimeve, me një fond prej 3 milion lekësh.
Rishikimi i procedurave të reagimit të emergjencave në rast aksidentesh, me një fond prej 2 milionë lekësh; Po kështu do të rishikohen procedurat e reagimit të policisë rrugore në rast aksidentesh dhe rekomandimi i përmirësimeve aty ku është e nevojshme, me me një fond prej 2,000,000 lekësh.
Po kaq do të jetë edhe fondi për rishikimin e procedurave të reagimit të zjarrfikësve në rast aksidentesh dhe rekomandimi i përmirësimeve aty ku është e nevojshme.
Ndërkohë për herë të parë pritet të krijohet dhe zbatohet procedura standarde të pacientit në lidhje me sinkronizimin e të dhënave midis kujdesit para-spitalor dhe atij spitalor me një fond prej 5 milion lekësh.
Strategjia parashikon gjithashtu rishikimin e procedurave aktuale për vendosjen e shërbimeve të helikopterëve në rast të aksidenteve rrugore dhe përmirësime sipas nevojës, fondi për të cilin është 1,500,000 lekë.
Gjithashtu pritet regjistrimi dhe ndjekja e Treguesve Kryesorë të Performancës (TKP-ve) që lidhen me kujdesin pas aksidentit me një fond prej 3 milionë lekësh. Me këtë ndërhyrje synohet që qytetarët të marrin një kujdes më të koordinuar dhe më efikas pas çdo aksidenti, duke rritur sigurinë dhe shpëtimin e jetëve. /ekofin.al
