Meta ka prezantuar një gamë të re syzesh inteligjente të fuqizuara nga inteligjenca artificiale (AI), duke zgjeruar bastin e saj se ato do të kthehen në një aksesor të domosdoshëm për përdoruesit anembanë botës.
Në konferencën vjetore të zhvilluesve “Meta Connect,” shefi i kompanisë së rrjeteve sociale, Mark Zuckerberg, njoftoi një sërë pajisjesh në bashkëpunim me markat e syzeve Ray-Ban dhe Oakley.
Kompania prezantoi gjithashtu një të ashtuquajtur byzylyk neural, i cili lidhet me syzet Meta Ray-Ban Display dhe u mundëson përdoruesve të kryejnë veprime si dërgimi i mesazheve përmes gjesteve të vogla të dorës.
Ngjarja u mbajt ndërsa pronari i Facebook, Instagram dhe WhatsApp përballet me shqyrtim të vazhdueshëm për ndikimin e produkteve të tij, veçanërisht tek fëmijët. Zuckerberg e quajti teknologjinë një “përparim shkencor gjigant” përpara qindra të pranishmëve në kampusin e kompanisë në Silicon Valley.
Meta Ray-Ban Display vjen me një ekran me ngjyra, me rezolucion të lartë, të integruar në njërën nga lentet, ku përdoruesit mund të bëjnë video-thirrje dhe të shohin mesazhe. Pajisja ka gjithashtu një kamerë 12-megapikselëshe.
Megjithatë, gjatë demonstrimeve, gjërat nuk shkuan gjithmonë sipas planit. Një thirrje përmes WhatsApp – gjithashtu në pronësi të Meta-s – nuk u realizua, pavarësisht disa tentativave.
“Nuk di ç’të them,” iu drejtua Zuckerberg pjesëmarrësve. “Vazhdoj ta ngatërroj këtë gjë.”
Pavarësisht këtyre pengesave, Zuckerberg shpreson që linja e syzeve inteligjente të Meta-s të shndërrohet në platformë kyçe për integrimin e mjetit të saj të AI-së, Meta AI, në jetën e njerëzve.
Analistët thonë se syzet inteligjente kanë gjasa të kenë më shumë sukses se projekti shumë miliarda dollarësh i Metaverse – botë virtuale për lidhjen e përdoruesve në mjedise digjitale.
“Ndryshe nga helmetat e realitetit virtual, syzet janë një formë praktike dhe e përditshme,” tha Mike Proulx, zëvendëspresident i Forrester dhe drejtor kërkimesh. Por ai shtoi se “Meta duhet të bindë shumicën e njerëzve që nuk kanë syze AI se përfitimet ia vlejnë koston.”
Kompania nuk jep të dhëna mbi shitjet, por raportohet se ka shitur rreth dy milionë palë syze inteligjente që nga hyrja në treg në vitin 2023. Modeli i ri Display do të jetë në shitje këtë muaj për 799 dollarë, qindra dollarë më shumë se modelet aktuale.
Leo Gebbie nga CCS Insight shprehu skepticizëm se ky model do të ketë po aq sukses sa modelet e tjera:
“Ray-Ban janë shitur mirë sepse janë të lehta për t’u përdorur, diskrete dhe relativisht të përballueshme,” tha ai.
Zuckerberg prezantoi gjithashtu syzet Oakley Meta Vanguard për sportdashësit, me çmim 499 dollarë, si dhe gjeneratën e dytë të Ray-Ban Meta Glasses me çmim 379 dollarë.
Meta ndodhet aktualisht në mes të një fushate të madhe shpenzimesh për të forcuar operacionet e saj në AI. Zuckerberg deklaroi në korrik se kompania do të shpenzojë qindra miliarda dollarë për të ndërtuar qendra të mëdha të dhënash për AI në SHBA, një prej të cilave do të ketë sipërfaqe thuajse sa Manhattani. Investimet në infrastrukturë po plotësohen nga shpenzime të mëdha për rekrutimin e talenteve më të mira nga kompanitë rivale.
Meta ka shpallur synimin për të zhvilluar atë që e quan “superinteligjencë” – teknologji AI që mund të tejkalojë inteligjencën njerëzore.
Protestat e prindërve
Më herët gjatë ditës së mërkurë, aktivistë dhe familjarë të viktimave të vetëvrasjeve protestuan para selisë së Meta-s në Nju Jork, duke kërkuar më shumë masa mbrojtëse për fëmijët në rrjetet sociale të kompanisë.
Javën e kaluar, dy ish-studiues të sigurisë së Meta-s dëshmuan para Senatit amerikan se kompania kishte fshehur dëmet e mundshme ndaj fëmijëve nga produktet e saj të realitetit virtual. Jason Sattizahn dhe Cayce Savage thanë se drejtuesit i udhëzuan studiuesit të mos punonin në projekte që mund të provonin këto dëme.
Meta i ka mohuar akuzat, duke i quajtur pretendimet “të pakuptimta”./Përshtati nga BBC, ekofin.al
