Vizita në Shqipëri nuk ka qenë kurrë në listën time të dëshirave. Por kur Shoqata Izraelite e Shtypit Periodik u ofroi anëtarëve një tur 8-ditor në këto dy vende, vendosa të lë pas çmendurinë dhe qeverinë tonë të keqe për pak kohë dhe të hidhja hapin drejt këtij vendi, shkruan Hillel Schenker për The Times of Israel.
Gjithçka që dija për Shqipërinë ishte se, gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, ajo konsiderohej vendi më i errët, më i mbyllur, i drejtuar nga partizani komunist anti-nazist i kthyer në diktator të egër, Enver Hoxha. Ditën e fundit në vend, vizituam një nga rreth 200 mijë bunkerët që ai kishte urdhëruar të ndërtoheshin për t’i rezistuar një lufte bërthamore të mundshme. Kujtonte skenat e filmit të Stanley Kubrick, “Dr. Strangelove.”
Por mbi tokë, vendi ishte një arratisje e këndshme nga tmerri i “luftës së përjetshme” që Netanjahu refuzon ta përfundojë. Një përzierje e natyrës së bukur, pyjeve të pafundme të gjelbra, rrugëve që çajnë malet, fshatrave të vegjël të ngulitur në kodra, kështjellave të lashta, xhamive dhe kishave, shumë prej tyre në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, një amfiteatri romak, qytetit të 1.000 dritareve dhe liqenit të Ohrit – një nga liqenet tektonikë më të vjetër dhe më të mëdhenj, më shumë se dy herë madhësia e Detit të Galilesë sipas guides sonë izraelite Karmela – perlave të zeza të Ohrit, një shëtitje me varkë mbi liqen, dhe shumë më tepër. Në periudhën para luftës, ata kishin madje një burrë me emrin Zog, emër që më kujtoi një personazh nga Star Trek apo ndonjë film tjetër fantastiko-shkencor, i cili arriti të ishte Kryeministër (1922–24), President (1925–28) dhe më pas Mbret (1928–1930) – një manovër për të cilën Trump, Putini dhe Netanjahu vetëm mund të ëndërrojnë (besoj). Mësova gjithashtu se ai kishte lidhur aleancë me Italinë fashiste të Musolinit.
Shqipëria në hartën e turizmit
Pas vdekjes së Hoxhës në vitin 1985 dhe sidomos pas rënies së bllokut sovjetik më 1989–90, Shqipëria filloi të hapet. Sot ajo ka një qeveri social-demokrate të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Guida jonë e parë, Toni, jeton brenda kështjellës historike në Berat, e banuar prej 2.400 vitesh. Ngjitja në rrugicën e pjerrët me kalldrëm deri në majë ishte një sfidë për gjunjët e mi, por me pak ndihmë prej miqve, siç këndonte Ringo Starr, ia dola dhe ia vlente. Kështjella është e mbushur me ikona të lashta të krishtera – Maria me foshnjën në të majtë, Jezusi i rritur në të djathtë – ndërsa rreth 50% e popullsisë është myslimane. Doli që babai i Tonit është mysliman dhe nëna e tij e krishterë, dhe të dy komunitetet shkollohen bashkë, pa probleme.
Sot, 26% e PBB-së së vendit vjen nga turizmi. Kompanitë turistike izraelite e kanë zbuluar gjithashtu dhe, teksa shëtisnim buzë liqenit të Ohrit, papritur ndeshëm një ekip të Kanalit 12 izraelit. Një shitës pijeje na tha se i pëlqejnë Arik Einshteini dhe këngëtari mizrahi Omer Adam, dhe nisi të këndonte në hebraisht me Spotify-n e tij. Një moment prekës erdhi kur zbuluam se gjyshi i një shitësi tjetër u kishte dhënë strehë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishte vrarë nga nazistët për këtë arsye.
Skënderbeu, heroi kombëtar
Guida jonë e dytë, Kaydi, jeton në Krujë, një tjetër zonë e Trashëgimisë Botërore, ku jetoi Skënderbeu në shek. XV dhe mbrojti Shqipërinë nga ushtritë osmane. Emri i tij i vërtetë ishte Gjergj Kastrioti, gjë që shpjegonte shenjat “Kastrioti” të shpërndara gjithandej. Në Tiranë, një statujë monumentale e Skënderbeut dominon sheshin qendror, me kapelën e tij në formë briri dhie, simbol i një legjende ku ai përdori dhitë për të mashtruar osmanët.
Vizita në kështjellën e Skënderbeut kërkoi një tjetër ngjitje të mundimshme. Kaydi na shpjegoi si Greqia dhe Bullgaria kishin marrë pjesë të tokave shqiptare dhe foli për atë që në shkollë e kishin mësuar si “gjenocidi grek” ndaj shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore – megjithëse historianët debatojnë mbi saktësinë e këtij termi. Në pazarin e lashtë shumëngjyrësh, pas shumë shkallëve të pjerrëta, bleva një qilim shumëngjyrësh për kujtim./Përshtati nga The Times of Israel, ekofin.al
