Rezerva Federale (Fed) të mërkurën njoftoi një ulje të shumëpritur të normës së interesit, një lëvizje që tregon se shqetësimet mbi ngadalësimin e tregut të punës tashmë peshojnë më shumë sesa frika e vazhdueshme për inflacionin.
Kjo është ulja e parë e normës këtë vit. Politikëbërësit vendosën një ulje me një çerek pike të normës bazë të bankës qendrore, në përputhje me pritshmëritë. Norma tani vendoset në 4% deri në 4.25%.
“Tregu i punës po ngadalësohet realisht,” tha kryetari i Fed-it, Jerome Powell, në një konferencë shtypi të mërkurën pas shpalljes së vendimit.
Ulja vjen mes një fushate të paprecedentë presioni nga administrata e Trump, që ka përfshirë sulme ndaj Powell për mosuljen më të hershme të normave, si dhe një përpjekje për të larguar një anëtar të emëruar gjatë periudhës Biden nga Fed për akuza të mashtrimit me kredi hipotekare.
Por Powell dhe Fed kishin rezistuar ndaj presionit të Trump, duke theksuar se mandati i dyfishtë i institucionit — mbajtja e papunësisë dhe inflacionit në nivele të ulëta — kërkonte kujdes për të mos e mbinxehur ekonominë dhe për të shmangur kthimin në rritje të shpejtë të çmimeve.
“Ne kemi bërë rritje shumë të mëdha dhe ulje shumë të mëdha të normave në pesë vitet e fundit, dhe zakonisht i bën këto kur mendon se politika është e gabuar dhe duhet lëvizur shpejt në një drejtim të ri,” tha Powell. “Kjo nuk është aspak ajo që mendoj tani.”
Votimi për uljen me një çerek pike në komitetin e Fed-it për vendosjen e normave ishte 11 me 1. I vetmi që doli kundër, duke kërkuar një ulje më të madhe me gjysmë pike, ishte guvernatori i sapoemëruar Stephen Miran. Ai u betua këtë javë, edhe pse mban ende titullin e kryetarit të Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë, megjithëse zyrtarisht është me leje nga ajo detyrë.
Dy guvernatorët e tjerë të emëruar nga Presidenti Donald Trump, Michelle Bowman dhe Christopher Waller, votuan për uljen me një çerek pike.
Në deklaratën e së mërkurës, Fed sinjalizoi se pret edhe dy ulje të tjera të normave këtë vit. Megjithatë, 7 nga 12 zyrtarët e komitetit mendojnë se normat duhet të mbeten të pandryshuara për pjesën tjetër të vitit.
Komiteti do të mblidhet sërish në tetor dhe dhjetor.
Tregu i punës duket se po ngadalësohet ndjeshëm. Raporti i punësimit për gushtin tregoi se u shtuan vetëm 22,000 vende pune, shumë më poshtë pritshmërive të ekonomistëve. Raporti tregoi gjithashtu se SHBA humbi vende pune në qershor. Deri tani këtë vit, ekonomia ka shtuar 598,000 vende pune, krahasuar me 1.4 milion në tetë muajt e parë të vitit 2024. Norma e papunësisë u rrit muajin e kaluar në 4.3%, një nivel që nuk ishte parë që nga shtatori 2017 jashtë periudhës së pandemisë Covid-19.
Në konferencën për shtyp, Powell e quajti tregun e punës “të pazakontë”, duke vënë në dukje se më pak kompani po punësojnë — por edhe oferta e fuqisë punëtore po bie për shkak të kufizimeve të Trump mbi emigracionin.
Normat më të ulëta mund të ndihmojnë bizneset të punësojnë, pasi bëhet më pak e kushtueshme marrja e kredive, ndërkohë që për konsumatorët ulen normat e interesit të kartave të kreditit.
Ndërkohë, inflacioni ka qenë në rritje. Që nga prilli, kur Trump shpalli tarifat e gjera “reciproke”, inflacioni është rritur nga 2.3% në 2.9% në gusht. Objektivi i Fed për inflacionin është 2%./Përshtati nga CBCN, ekofin.al
