Qeveria ka prezantuar programin për mandatin e ardhshëm, ku një pjesë të rëndësishme kanë projektet strategjike për modernizimin e infrastrukturës. Ky plan ambicioz, me afat zbatimi deri në vitin 2029–2030, synon transformimin e Shqipërisë në një vend me rrugë moderne, transport publik të gjelbër, porte e aeroporte të rinj dhe furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm.
Rrugët kombëtare dhe korridoret e zhvillimit
Një nga shtyllat kryesore të planit është ndërtimi dhe modernizimi i 700 km rrugë të reja, duke përfunduar rrjetin kombëtar sipas standardeve moderne.
Programi përfshin:
•Përfundimin e segmenteve kyçe të Korridorit Blu (Milot–Balldren, Milot–Thumanë, Kashar–Peze–Lekaj, Lekaj–Konjat–Fier).
•Bypass-in e Elbasanit, që lidh Tiranë–Durrës me Korridorin VIII.
•Rrugën e Bregut (Dhërmi–Sarandë) me Bypass-in e Sarandës dhe Rrugën e Ksamilit.
•Projekte të tjera lidhëse si Unaza e Çajupit, Rruga e Vjosës, Aksi Berat–Skrapar–Gramsh, Rruga e Liqeneve dhe Rruga e Maleve.
Këto ndërhyrje synojnë të krijojnë një bosht të ri zhvillimi kombëtar, duke nxitur turizmin, tregtinë dhe qarkullimin e brendshëm.
Transporti publik dhe hekurudhor
Një tjetër risi është ringjallja e transportit hekurudhor, me projekte që kalojnë kufirin e 800 milionë eurove. Lidhjet kryesore do të jenë:
•Tiranë–Durrës–Rinas me flotë të re elektrike.
•Vorë–Hani i Hotit, Durrës–Rrogozhinë, Rrogozhinë–Pogradec.
•Ndërtimi i linjës Vlorë–Via.
Në fushën e transportit publik, do të krijohet Operatori Kombëtar “MobAl”, që do të ofrojë shërbime të dedikuara për transport turistik dhe shkollor. Fillimisht janë planifikuar 7 itinerare turistike kombëtare dhe transport shkollor në tre zona strategjike. Flota do të përfshijë rreth 100 autobusë elektrikë, me sisteme moderne monitorimi dhe biletimi elektronik.
Portet dhe aeroportet
Në sektorin detar dhe ajror parashikohen investime të mëdha:
•Porti i ri tregtar i Porto Romanos, i integruar me rrjetin hekurudhor.
•Marinat turistike në Sarandë, Vlorë dhe Kepin e Rodonit.
•Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës dhe Aeroporti i Jugut (Gjirokastër).
•Zgjerimi i kapaciteteve të Aeroportit të Tiranës (VIA).
•Akademia e Aviacionit, e para në vend, për përgatitjen e pilotëve dhe teknikëve.
Ujë të pijshëm 24 orë dhe kanalizime moderne
Plani përfshin gjithashtu një program kombëtar për furnizimin me ujë të pijshëm:
•Deri në vitin 2030, 100% e zonave urbane dhe mbi 80% e zonave rurale do të kenë ujë 24 orë.
•Do të krijohet Operatori Shtetëror i Prodhimit të Ujit, që do të administrojë burimet ujore me standarde të reja cilësie e qëndrueshmërie.
•Furnizimi do të jetë i digjitalizuar, me sensorë, monitorim në kohë reale dhe përdorim të inteligjencës artificiale.
Fokus në gjelbërim dhe qëndrueshmëri
Një element i fortë i planit është transporti i gjelbër, me investime për stacione karikimi, mobilim urban të autostradave dhe flota elektrike, duke reduktuar ndotjen dhe duke rritur efikasitetin energjetik.
Ky plan i gjerë i qeverisë, që përfshin projekte në të gjitha fushat e infrastrukturës, synon jo vetëm modernizimin e vendit, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social, duke i dhënë Shqipërisë një pozicion më të fortë në rajon dhe në Evropë. /ekofin.al
